Krasniqi për Thaçin: Ai asht person përçarës

Përgjegjësi dhe autori kryesor i akuzës në raportin e Dick Martit, e cila ma vonë u ba rezolutë e Këshillit të Europës, asht Hashim Thaçi, dhe si i tillë, ai s’asht dashte me qene as Kryeministër në mandatin e dytë dhe as President, mbasi që nuk ka akuzë ma të rëndë që ka dëmtue interesat politike të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, si mbrenda ashtu edhe jashtë vendit.

Kështu tha kryetari i Këshillit Kombëtar në Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi, i cili theksoi se Thaçi fare nuk do duhej me u marr me pastrimin e listave, mbasi këtu ka përgjegjësi të madhe.

Nëse ka një akuzë që për mua mund të jetë krejt e pa bazë dhe një akuzë që është ngrit mbi dëshmi të rrejshme, siç është raporti i Dick Martit, përgjegjësi kryesor dhe autori kryesor i akuzës në raportin e Dick Martit, e cila më vonë është bërë rezolutë e Këshillit të Evropës, është Hashim Thaçi. Si i tillë, Hashim Thaçi nuk është dashur të jetë, nëse është nisur nga kjo logjikë, as kryeministër në mandatin e dytë dhe as president tash, pasi që nuk ka akuzë më të rëndë që i ka dëmtuar interesat politike të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj, si brenda dhe në mënyrë të veçantë jashtë vendit. Ai këto gjëra nuk i ka bërë me kohë dhe tani në cilësinë e qytetarit të parë të Republikës së Kosovës, fare nuk do të duhej të hynte në këto tema, për të cilat ai ka përgjegjësi të mëdha”, tha Krasniqi.

Sa i takon deklaratave se kundërshtimi i Demarkacionit po bahet për interesa politike nga opozita, Krasniqi thotë se nëse dikush po i përdorë marrëveshjet për interesat e tyne personale, ata janë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, e jo partitë opozitare.

Nëse dikush vërtetë është duke e përdorur shënimin e kufirit me Malin e Zi, bile dhe marrëveshjet me Brukselin për qëllime politike, konsideroj që janë dy krerët e koalicionit qeverisës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, të cilët edhe njërën marrëveshje edhe tjetrën marrëveshje janë duke i përdorur për interesa të tyre personale, jo për interesa të vendit. Kurse, opozita është duke kundërshtuar edhe njërën marrëveshje edhe tjetrën, jo për interesa politike të subjekteve politike, por jemi të bindur se këto dy çështje janë më shumë se të dëmshme për qytetarët e Kosovës, për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e saj”, tha Krasniqi.

Tutje, deklaratën e Thaçit në lidhje me rolin unifikues të tij në raport me pozitën dhe opozitën, Krasniqi nuk e beson aspak, bile ai e quen ish kolegun e tij partiak si person përçarës.

Në kushte normale, presidenti do të mund ta luante edhe këtë rol, por mënyra se si është zgjedhur, duke qenë për shumë vite njeriu më përçarës në skenën politike të Kosovës, e ka vështirë edhe nga kjo pozitë ta ketë rolin e personit që e unifikon politiken në Republikën e Kosovës”, tha Krasniqi për KosovaPress.

Këto reagime të Krasniqit vinë mbas deklaratës së Thaçit se në listat zgjedhore nuk duhen me qene personat që janë nën hetime, deklaratës për Demarkacionin me Malin e Zi, si dhe angazhimin e tij në lidhje me rolin unifikues në raport me pozitën dhe opozitën.