Krasniqi: Vetëvendosja kërkoi futjen e policisë në Kuvend

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi i asht përgjigjë fuqishëm Sekretarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, si dhe deputetëve tjerë të kësaj Lëvizje, të cilët po e sulmojnë Nismën dhe vetë atë.

Krasniqi ka sqarue momentin e votimit të Marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, si dhe ndërhymjen e sigurimit për me i largue nga foltorja e Kuvendit, deputetët e Vetëvendosjes, me 27 Qershor të vitit 2013.

Qysh në Tetorin e vitit 2012, Krasniqi e kishte paralajmërue Qeverinë se nuk ka me e lejue futjen e policisë në sallën e Kuvendit.
E prandaj sot, ish-kryetari i Kuvendit i tha Vetëvendosjes, se urdhnin për hymjen e policisë në sallën e Kuvendit e kishte dhanë i pari Kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi.

Atë ditë, para se me nisë votimi, në zyrën time erdhi Komandanti i Njisisë Speciale, i cili më tha se Shefi, Kryeministri Hashim Thaçi ka urdhnue hymjen e policëve në sallën e Kuvendit. Por unë thashë se shef për Kuvendin jam vetë e unë nuk kam dhanë urdhën për këtë. Madje, ai u pajtue kur i thashë se nëse policia hyn në sallë, unë e lëshoj seancën. E deri sa po mendoja me dhanë dorëheqje, mora telefonatë nga nji deputet i Vetëvendosjes, i cili më kërkoi me ndërhy me polici, sepse nuk shihet rrugëdalje nga situata, – shkruejti ai.

Ma tej, Krasniqi thotë se vetëm mbas kësaj telefonate të Vetëvendosjes, ai ka kërkue policisë së Kuvendit që me ndërhy në largimin e deputetëve të VV’s, të cilët nuk kanë ba rezistencë.

Simbas Krasniqit, nëse nuk kishte me qenë kërkesa e deputetit të Vetëvendosjes, ai nuk kishte me e kërkue kurrë ndërhymjen e policisë.

E sa i takon dorëheqjes së tij nga kreu i Kuvendit, Krasniqi shkruen se ai ishte kryetari ma i votuem, me 90 vota të deputetëve.

Tjetër arsye, simbas tij, ishte se ai nuk donte me lejue që Hashim Thaçi me e kapë edhe Kuvendin.