Kreu i Kuvendit, Veseli, homazhe te varrezat e familjes Deliu: Kjo asht historia jonë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e 18-vjetorit të masakrës ndaj Familjes Deliu, bani homazhe dhe vendosi kunora me lule në varrezat e kësaj familje, si dhe në varrezat e dëshmorëve në Abri të epërme të Drenasit.

Në këtë përvjetor të dhimbjes, Kryetari Veseli, vizitoi po ashtu, familjet Xhemajli dhe Deliu në këtë katund.

Kryetari Veseli, shprehu respektin dhe dhimbjen për familjen Deliu, herojtë, dëshmorët dhe martirët e masakrave të kryeme nga ushtria e policia e regjimit serb, jo vetëm në Abri, por në tanë Kosovën, që me jetën e tyne dëshmuen përkushtimin për çlirim nga regjimi serb.

Ai me këtë rast theksoi se, në këto masakra, nga këto njësite militare e paramilitare serbe, nuk u kursyen as foshnjat në djep dhe as pleqtë, që sot, si dëshmi mbeten kujtesë për neve, për peshën e lirisë së vendit, për të cilin kemi obligim të punojmë çdo ditë.

vesko3

“Kjo asht historia jonë. Si e tillë, ajo asht kujtesë, e cila nuk duhet të harrohet. Na nuk kemi me harrue kurrë këtë sakrificë dhe gjak të derdhun, që nga foshnjat 3-muejshe deri te pleqtë 90-vjeçarë. Nuk kemi me lejue asnjiherë që në këtë tokë të përsëriten gjana të tilla. Kjo asht nji arsye ma shumë pse duhet të jemi të bashkuem dhe ta forcojmë shtetin tonë”, theksoi kryetari Veseli.

Kryetari Veseli, theksoi po ashtu se, zhvillimi i vendit, sundimi i ligjit, partneriteti me ShBA’të dhe Bashkimin Europian, janë rruga dhe e ardhmja e vendit tonë.

vesko2