Kryeministri: Demontratat e 81’shit ngjarje kulmore në historinë e re të Kosovës

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i ka përkujtue demonstratat e vitit 1981 tue theksue se ato ishin fillimi i revoltës dhe rrugëtimit stoik të popullit të Kosovës drejt lirisë, pamvarësisë dhe demokracisë.

Mustafa tha se demonstratat studentore të nisuna me 11 Mars 1981, janë ngjarje kulmore në historinë e re të Kosovës, mbasi që ato dëshmuen botnisht vendosmëninë e paepun të popullit të Kosovës për realizimin e synimeve shekullore për çlirim dhe krijim të shtetit.

Populli i Kosovës, me energjinë dhe vendosmërinë e studentëve, me patriotizmin dhe dijen e elitës intelektuale dhe me heroizmin e pashoq të luftëtarëve të lirisë, pas disa dekadave të rezistencës, në të gjitha format, arriti ta jetësojë vullnetin dhe synimin e tij nacional për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur”, tha Mustafa.

Mustafa shprehu mirënjohjen ma të thellë institucionale të Qeverisë së Kosovës për tanë ata studentë dhe qytetarë të Kosovës, të cilët që nga viti ‘81 e tutje, u ballafaquen me sfida të paimagjinueshme në rrugën drejt lirisë dhe pamvarësisë.