Kryeministri e ka nji pyetje të madhe, qe cila asht ajo!

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vazhdon me cilësue të drejt demaskimin e kufinit me Malin e Zi, teksa thotë se e problematizoi opozita për me shpik kauzë politike.

Mustafa ka thanë se do të ishte i lumtun që si kryeministër dikush t’ja argumentonte se kush ishte subjekti në Kosovë që i administroi deri tash hektarët që shumëkush në Kosovë thotë se u falën.

Ka thanë se i beson komisionit shtetnor që punoi tre vjet.

Në fund Mustafa ka thanë se ka me procedue në Kuvendin e Kosovës rafitikimin e marrëveshjes për kufinin, ani pse nuk ka përcaktue kohën për këtë gja.

Ky asht postimi i Mustafes n’Facebook:

Kauza politike dhe demarkacioni me Malin e Zi
Problemi i kufijve të tokave është i njohur jo vetëm për shqiptarët por për ballkanasit në përgjithësi. Është një çështje e ndjeshme, e cila në rastin e shënimit të kufirit me Malin e Zi u shfrytëzua nga një subjekt i opozitës duke e shndërruar në kauzë politike. Mjaft është të thuash se iu falën Malit të Zi 12,000 ose 8,000 hektarë. Të mbetet pastaj vetëm të mbledhësh puplat, sepse ai që thotë se janë falur këta hektarë, nuk tregon se kush ishte pronari i këtyre hektarëve brenda kufirit që kishte Kosova si Krahinë deri më 31 dhjetor të vitit 1988 (ashtu siç është përcaktuar me dokument mbi të cilin është shpallur pavarësia). Dhe hektarët (puplat) nuk mund ti gjesh. Të mbetet pastaj të dëgjosh ligjërata për hartat topografike apo ushtarake, a janë ato që i ka prodhuar Kosova, a janë të Jugosllavisë, të ushtrisë jugosllave, të çfarë proporcioneve janë. Dhe qytetari i rëndomtë nuk merret me këtë, sepse këto punë nuk i dinë si duhet as disa gjeografë e hartografë.
Unë do të isha shumë i lumtur si Kryeministër që gjatë një viti, nga nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi, të vinte ndokush për të argumentuar se kush ishte subjekti në Kosovë që i administroi deri tani këta hektarë e që tani i ka humbur. Por, veç akuzave, askush.
Dëmi është krijuar. As unë si Kryeministër nuk e kam matur kufirin, por më duhet të besoj se një komision shtetëror i cili ka punuar gati tre vite, të cilin nuk e kisha emëruar unë, e ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe nuk ka pasur asnjë arsye t’ia falë Malit të Zi tokën e Kosovës.
Departamenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fund të vitit të kaluar, pas studimit të hartave deklaroi se kufiri është vendosur aty ku ka qenë vija administrative ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, aty ku SHBA e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.
Komisioni i emëruar nga Presidentja Jahjaga, konstatoi të njëjtën gjë. Se kufiri është aty ku ka qenë kur Kosova administrohej me Kushtetutën e vitit 1974.
Dokumente gjermane, të nxjerra nga bisedat e Vjenës për statusin e Kosovës, vërtetojnë po ashtu se kufiri është ky, që është caktuar nga Komisioni ynë shtetëror. Edhe flamuri i Kosovës i përgjigjet me saktësi këtij kufiri dhe nëse kufiri ndryshon ashtu siç pretendon kauza e opozitës, atëherë duhet të ndryshojë edhe flamuri.
Nëse i referohemi Komunës së Pejës, rezulton se Plani Zhvillimor i Komunës së Pejës është brenda këtyre kufijve, sikurse edhe të gjitha dokumentet e tjera hapësinore, të cilat janë nxjerrë para se komisioni shtetëror të caktojë kufirin. Edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shpallur zonat e mbrojtura në këta kufij me votën edhe të atyre që sot po e kundërshtojnë kufirin.
Të gjithë e dimë se qytetarët tanë të anëve të Rugovës me shekuj I kanë shfrytëzuar ato toka dhe nuk kanë pasur kufi që i ka penguar ti shfrytëzojnë. Disa nga ta kanë paguar taksa në komunën e Rozhajës dhe komunat e tjera të Malit të Zi për shfrytëzim. Ato toka i kanë konsideruar sit ë tyre dhe është vështirë tu thuash sot se nuk janë të tyre. Por po ashtu është vështirë tu thuash se janë të tyre, kur nuk ka dokumente që vërtetojnë se janë të tyre.
Ne nuk duhet të luajmë me ndjenjat e qytetarëve për kauza politike, sepse kjo na kushton shumë. Caktimi I kufirit është një akt jo i lehtë, nganjëherë edhe i dhimbshëm. Duhet të kemi më shumë besim në institucionet tona, duhet të kemi besim në ata që na ndihmuan ta çlirojmë vendin por duhet të kemi besim edhe në fqinjët, të cilët pa asnjë rezervë e përkrahën çlirimin dhe pavarësimin tonë.
Duhet të sqarojmë se kufirin nuk mund ta ndryshojmë duke ndryshuar komisionet. Kufiri është vullnet i dy palëve, në rastin tonë edhe i faktorit ndërkombëtar. Unë kam sugjeruar te BE që të tejkalohet kushti për demarkacion dhe të liberalizohen vizat, ndërkaq ne ta bëjmë ratifikimin në një kohë më të përshtatshme, por përgjigja ka qenë eksplicite se pa ratifikim të demarkacionit nuk do të ketë liberalizim të vizave.
Nuk kemi të drejtë që për kauza politike, t’ua mbajmë lakun në qafë qytetarëve tanë. Mbijetesën politike duhet ta sigurojmë me ofertë për qeverisje të mirë, për zhvillim ekonomik, për shtet ligjorë, e jo me kutin e patriotëve dhe të tradhtarëve, jo me sulme në familje dhe fjalor denigrues, i cili nuk peshon asnjë metër katror tokë.
Fundja nëse politikisht matemi, atëherë karshi një kauze populliste të tillë të opozitës, por krejtësisht të paargumentuar, është edhe një kauzë evropiane dhe euroatlantike e pozitës, një kauzë e lëvizjes së lirë pa viza të qytetarëve tanë dhe e fqinjësisë së mirë.
Kauzat politike ju shërbejnë individëve dhe partive politike, kurse liria e lëvizjes pa viza iu shërben gjithë qytetarëve.
Tokën duhet ta arsyetojmë me dokumentacion (me letra, siç e tha një herë z. Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Komunës së Pejës). Në çdo moment kur mund të dëshmojmë me dokumentacion mund të bëhen ndryshime.
Qeveria do të kryej procedurat që demarkacioni të ratifikohet në Kuvend, që qytetarët tanë të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Njerëzit që kanë marrë përgjegjësi politike, këtë ua kanë borxh qytetarëve tanë. IM