Kryeministri e Muhaxheri për Demarkacionin: Asnji meter s’e kemi humb, Çakorri s’asht i joni

Kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës në disa biznise në Pejë, me interesim të gazetarëve për çashtjen e Demarkacionit me Malin e Zi ka thanë se Kosova nuk e ka humb asnji metër nga kufini i saj. Ndërsa kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thanë se Çakorri asht konsiderue gjithmonë si kufi, por dokumentet nuk e kanë aprovue se i takon Kosovës.
Kryeministri Mustafa tha se kjo çashtje s’asht diskutue në takimin e sotëm, por se asht bisedue në takimet e maparshme, thuhet në njoftimin për media.

Unë vetëm mund të them se komisioni e ka dhënë një vlerësim të pavarur si komision ndërkombëtar. Ne si Qeveri i kemi ofruar vetëm dokumentacion, në qoftë se ata do të kërkonin nga ne. Nuk kanë kërkuar diçka, sepse ata e kanë marrë dokumentacionin nga Komisioni Shtetëror. Unë mendoj se ne duhet ta vlerësojmë këtë punë, sepse dikujt duhet t’i besojmë. Përndryshe nuk mund të sillemi jashtë vlerësimeve. Është një komision që ka qenë kompetentë në pikëpamje edhe të përbërjes, por edhe në pikëpamje të përgjegjësisë, sepse ne gjithsesi duhet ta vlerësojmë përgjegjësinë e tyre dhe është një çështje që duhet të përmbyllet. Ajo që unë ju garantoj si kryetar i Qeverisë është se ne asnjë metër tokë nuk do të lejojmë që ta humb Kosova. Dhe ne vlerësojmë se nuk është humbur. Nëse një qytetar i Kosovës, njerëzit që janë qeveritar, Komuna e Pejës apo ndonjë Komunë tjetër e vërteton se një metër katror e Kosovës ka kaluar në Malin e Zi ne kemi edhe zotimin e palës malazeze që çdo moment ata janë në gjendje të ulen dhe të korrigjojnë çdo gjë. Tash është vërtetuar se as nuk kemi marrë nga malazezët e as nuk ju kemi dhënë malazezëve asnjë metër tokë. Pse njerëzit dalin dhe operojnë me 8 mijë hektarë ose 10 mijë hektarë është çështje e tyre. Por, në asnjë rast nuk është vërtetuar se një metër katror është këmbyer me Malin e Zi”, ka thanë Kryeministri Mustafa.

I pyetun për protestën e opozitës, Kryeministri Mustafa tha se asht në natyrën e çdo opozite që gjithmonë të shprehë pakënaqësi.

Ne natyrisht se duhet të respektojmë çdo vendim të opozitës dhe çdo sjellje, por unë mendoj se në këtë rast nuk kanë më argumente të protestojnë për arsye se kanë pasur hapësirë që të ulen me këtë komision, t’i paraqesin argumentet e tyre dhe i kanë paraqitur, por komisioni ka konstatuar se në pikëpamje ligjore është kryer çdo gjë në rregull, në pikëpamje teknike është përfunduar po ashtu çdo gjë në rregull, sepse janë marrë hartat parasysh që janë relevante, është marrë dokumentacioni kadastral që është relevant. Unë i kam pyetur edhe përpara njerëzit në qoftë se Komuna e Pejës i ka 602.8 kilometra katrorë dhe e ka edhe sot atë sipërfaqe, atëherë kah dolën 8 mijë hektarë që u humbën në këtë pjesë. Ato 8 mijë hektarë është dashur të gjenden diku. Sepse nuk mund të humben 8 mijë hektarë e Komuna e Pejës të mos e humbë asnjë metër katror. Dikush duhet të jap përgjegjësi”, shtoi ai.

Në pyetjen se a duhet Demarkacioni me shkue për ratifikim në Kuvend, Kryeministri Mustafa tha se tani kjo duhet të procedohet në Kuvend.

Kur do të procedohet prapë do ta shohim, sepse konsideroj se duhet të arrijmë një pajtueshmëri, sepse territori i Kosovës nuk është territor vetëm i pozitës, është territor i qytetarëve të Republikë së Kosovës, territor për të cilin kanë përgjegjësi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës”, u shpreh Kryeministri.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se asht mbajtë nji seancë e Kuvendit Komunal, ku me 30 vota pro asht votue rezoluta që i asht drejtue Komisionit për Demarkacion.

Ne si Komunë, për dallim nga Komunat tjera posedojmë kadastrin origjinal. Me kadastrin tonë kjo i bie se është ashtu. Është e dhimbshme sepse qytetarët tanë e mendojnë se edhe ajo pjesë e territorit i takon Republikës së Kosovës, por me dokumente nuk kemi fakte që i takon. Ana emocionale te qytetarët dhe te unë si kryetar i tyre mbetet se Çakorrin gjithmonë e kemi konsideruar kufi. Tash dokumentet nuk e aprovojnë këtë çfarë po pretendojmë ne”, tha Muhaxheri.