Kryeministri kishte thanë se papunësia asht 26%, por çka thotë BSPK?

Shifrat rreth shkallës së papunësisë në Kosovë, të publikueme nga Agjencia e Statistikave, nuk janë shumë të besueshme për ekspertët, por edhe qytetarët.

Disa qytetarë të anketuem, nuk besojnë se ka ulje të shkallës së papunësisë, ashtu qysh rezulton në anketën e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Simbas rezultateve të anketës së Fuqisë Punëtore të ASK, për tre mujorin e dytë të këtij viti, thuhet se shkalla e papunësisë ka ra në 26.2 për qind nga 32.9 për qind sa ka qenë vitin e kaluem.

Shkalla ma e theksueme e papunësisë asht te grupmoshat 15 deri në 24 vjeç.

Kurse sa u përket të punësuemve, rreth 29 për qind e personave të punësuem kanë kontrata të përhershme në punën e tyne, kurse 71 për qind, kanë kontrata të përkohshme.

Udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pamvaruna të Kosovës, thonë se kohëve të fundit ka pasë disa lëvizje pozitive në këtë drejtim. Por, simbas tyne, nuk asht e besueshme që niveli i papunësisë ka ra në 26 për qind.

Haxhi Arifaj, kryetar i kësaj sindikate, konsideron se në terren shkalla e papunësisë mundet me qenë mbi 40 për qind.