Kryeministri mori pjesë në Samitin e EPP’s, kërkon përkrahje për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në punimet e Samitit të krenëve të shteteve dhe të Qeverive të shteteve të BE’s dhe atyne jo anëtare të BE’s, pjesëtare të Partive Popullore Evropiane (EPP), që po zhvillohet në Bruksel.
Në nji njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se Mustafa i informoi të pranishmit lidhun me progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës si dhe zhvillimet aktuale politike.
Kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e liderëve politikë dhe institucionalë anëtarë të EPP-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke i njoftuar për përmbushjen nga ana e Kosovës të të gjitha rekomandimeve dhe kritereve të kërkuara.
Kryeministri Mustafa theksoi se duke u bazuar në punën e bërë në këtë drejtim, institucionet dhe qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vlerësim dhe vendim pozitiv të mekanizmave të BE-së për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për rrugën evropiane, duke theksuar edhe orientimin e Kosovës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve me fqinjët përmes dialogut.
Kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar edhe për masat konkrete që ka marrë Qeveria e Kosovës për ndaljen e fluksit të refugjatëve nga Kosova gjatë fillimvitit të kaluar në drejtim të vendeve të BE-së dhe rezultatet inkurajuese në riitntegrimin e të kthyerve në Kosovë”.
Simbas njoftimit, krahas kryeministrit Mustafa, në punimet e samitit kanë marrë pjesë edhe liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, si kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri Viktor Orban, dhe krenë tjerë të partive të djathta europiane.
Të pranishëm ishin edhe drejtues të naltë të mekanizmave të BE’s si Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, Presidenti i EPP’s Joseph Daul.