Kryeministri Mustafa: Kosova, me gjendjen ma të mirë në rajon sa i përket kushtëzimit të qytetarëve me korrupcion

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tue e komentue raportin e fundit të ‘Transparency International’ nga KDI vlerëson se ky raport ka me ju shërbye atyne që të përmirësohën në fushat e nevojshme dhe për me forcue luftën kundër korrupcionit.

Simbas Mustafës, Kosova ka gjendjen sa i përket kushtëzimit të qytetarëve me korrupcion për shërbime. Jemi ma mirë se 6 vende të BE’s; baraz me Greqinë dhe Kroacinë e ma mirë se pothuej të tana vendet e Europës Qendrore e Juglindore. Me rajon, larg në gjendje ma të mirë!

Mustafa thotë ndër të tjera se, sado që me qenë korrupcioni prezent, atë duhet luftue bashkënisht, me raportim dhe denoncim.

Postimi i plotë në Facebook:

Dje u publikua raporti i fundit i Transparency International nga KDI. Ky raport duhet të na shërbejë për të përmirësuar fushat e nevojshme dhe për të forcuar luftën kundër korrupsionit, por po ashtu edhe që ta shohim gjendjen faktike në terren rreth kësaj problematike. E kuptoj se ngjarje të shumta që kanë ndodhur në këto 17 vjet pas luftës, kanë ndikuar në perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në shoqërinë tonë.

Në perceptim të qytetarëve, korrupsioni konsiderohet se është problem kryesor për vendin tonë dhe se institucionet nuk po bëjnë sa duhet për të luftuar këtë dukuri.

Në anën e ndritshme, Kosova ka gjendjen më të mirë nga të gjitha vendet e rajonit sa i përket kushtëzimit të qytetarëve me korrupsion për shërbime. Jemi më mirë se 6 vende të BE-së; baras me Greqinë dhe Kroacinë e më mirë se po thuaj të gjitha vendet e Evropës Qendrore e Juglindore. Me rajon, larg në gjendje më të mirë!

Nganjëherë fitohet përshtypja sikur nuk kemi guxim të shohim se vendi ynë ka edhe anët e mira. Sikur të prezantosh diçka të tillë nuk është lajm apo nuk fiton fonde nga donatorët e jashtëm, sepse mbetesh pa një kauzë të rëndësishme për fonde. Me gojën plot korrupsion ne po e dëmtojmë imazhin tonë dhe po i frikësojmë investitorët. Korrupsionin do ta mundim nëse e luftojmë bashkë.

Do ta mundim nëse e lajmërojmë. Lajmëromëni edhe mua, nëse dikush thirret në emrin tim për të fituar materialisht, qoftë si kryeministër qoftë si kryetar i LDK-së.

Në këto dy vjet Qeverisje, kriter kryesor e kemi pasur qeverisjen e pastër. Kemi ndërmarrë shumë hapa që do t’i diskutoj edhe nesër në Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit.

Dallimin më të madh në Evropë në mes të perceptimit dhe realitetit, në këtë raport e gjejmë në Kosovë. Sado që të jetë korrupsioni prezent, duhet ta luftojmë. Por, lufta kundër korrupsionit zhvillohet bashkërisht, me raportim dhe denoncim.

Në Qeveri e kam shtruar dukurinë e dhënies së tenderëve publik kryesisht një numri të kufizuar të kompanive private. Kam kërkuar, po ashtu, që të eliminohen monopolet, me licenca dhe të drejta tjera të cilat për shumë vite gëzojnë kompani të caktuara. Edhe këto do t’i zgjidhim, ata që nuk veprojnë duhet të japin dorëheqje ose do të shkarkohen.