Kryeministri Mustafa merr mbështetje nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili po qëndron në Britani të Madhe, ka vizitue sot Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër, ku pati nji takim me Presidentin e Bankës, Sir Suma Chakrabarti.

Të pranishëm ishin edhe anëtarët e Qeverisë së Kosovës, ministrat Avdullah Hoti dhe Memli Krasniqi, dhe menaxhmenti i lartë i BERZH, ku me ç’rast diskutuen aktivitetet e Bankës në vend, ban të ditun nji komunikatë nga Kryeministria.

Chakrabarti e mirëpriti mundësinë që të takohet sot me Kryeministrin dhe delegacionin e naltë qeveritar nga Kosova, ku edhe tha: “Na jemi të gatshëm që me thellue dhe zgjanue bashkëpunimin me Kosovën. Jemi fuqimisht të përkushtuem që ta mbështesim zhvillimin e sektorit privat në nji bazë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshimëse, si dhe integrimin rajonal të vendit. Vetëm gjatë këtij viti unë e kam vizitue Ballkanin Perendimor dy herë dhe ajo çfarë pashë ishte inkurajuese. Tash kemi nji përpjekje të vërtetë reformuese dhe BERZH asht e gatshme me ofrue ndihmën e saj me investime dhe dialog politik”, njofton komunikata.

Kryeministri Mustafa shtoi se “BERZH asht tue mbështetë zhvillimin ekonomik të Kosovës, si dhe zbatimin e shumë projekteve. Sot, na kemi marrë mbështetje konkrete nga Presidenti Chakrabarti për projekte, të cilat janë të parapame në prioritetet e Qeverisë së Kosovës dhe kanë me pasë ndikim në përmirësimin e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik dhe avancimin e cilësisë së jetës së njerëzve.