Kryeministri Mustafa në SHBA merr përkrahjen e shumë shteteve

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili këto ditë po qëndron për vizitë në New York, asht takue sot me Ndihmës-sekretaren Amerikane të Shtetit për Çashtje të Europës dhe Euroazisë, Victoria Nuland.

Mustafa e ka njoftue Nulandin për progresin në Kosovë si dhe për zhvillimet e fundit që lidhen me proceset integruese euroatlantike, fuqizimin e shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtar si dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit, ban të ditun nji komunikatë e lëshueme nga Kryeministria.

“Tue shprehë mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e deritashme, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhanieve bilaterale me SHBA’të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës. Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çashtje të Europës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi të arritunat në Kosovë, tue shprehë përkrahjen e SHBA’ve për Kosovën”, thekson komunikata.

Gjatë ditës, në selinë e Kombeve të Bashkueme, kryeministri Isa Mustafa ka takue edhe ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Maria Angela Cuellar.

Mustafa shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e marrëdhanieve ndërmjet dy vendeve, tue kërkue përkrahjen e Kolumbisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, njofton komunikata.

Simbas Kryeministrisë, Mustafa ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizueme nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkueme Arabe, ku ka takue përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, tue kërkue përkrahjen e tyne për Kosovën.