Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Kosovës për veteranin e UÇK’s, Jon Harrison

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritë sot në takim veteranin luftar britanik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Gjatë takimit miqësor, kryeministri Mustafa dhe Harrison biseduen për progresin e arritun në Kosovë vjetëve të fundit, zhvillimin e shtetit, progresin në ekonomi, hapjen e perspektivës për qytetarët dhe veçmas për të rijtë e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, shprehu mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin që z.Harrison ka dhanë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, tue qenë nji luftar i paepun për çlirimin e Kosovës.

“Kosova dhe populli i saj i janë përjetë mirënjohës dhe respektojnë luftën e sakrificën e çdo luftari, kontributin e shteteve mike perendimore e ma gjanë si dhe angazhimin vullnetar të luftarëve siç asht Jon Harrison, i cili luftoi me tanë qenien për të vetmen kauzë, lirinë e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, tue e vlerësue vendimin për emnimin e nesërm të nji rruge në Prizren, me emnin e luftarit të dalluem, Jon Harrison.

Luftari britanik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison, gjatë takimit, shprehu lidhjen e posaçme emocionale dhe reale që ka me popullin dhe me shtetin e Kosovës.