Kryeministri Mustafa takohet me drejtues të AKP’s dhe Policisë Kufitare, bisedohet për kufinin me Malin e Zi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritë në takim udhëheqësit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe drejtorin e Departamentit të Kufijve në Policinë Kufitare, Kolonel Shaban Guda, i cili shoqnohej nga Kapiten Avdyl Kadrija, shef i sektorit për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufinit, Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare në Gjakovë.

Simbas nji komunikate të Qeverisë, gjatë dy takimeve, ku ishte i pranishëm edhe zavendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi, u bisedue në detaje për pronat e AKP’s, të cilat ndodhen në brezin kufitar me Malin e Zi, si dhe për tana aspektet që lidhen me punën e policisë kufitare në këtë zonë, në funksion të nxjerrjes së argumenteve dhe sqarimit të procesit të shejimit të vijës kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

“Gjatë takimit me drejtuesit e AKP’s, u theksue se asnji pronë e menaxhueme nga Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka mbetë jashtë vijës kufitare të shejueme nga Komisioni Shtetnor”.

“Përfaqësuesit e AKP’s kanë prezentue edhe dokumentet dhe hartat e plota të pronave që ndodhen mbrenda vijës kufitare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Policisë Kufitare, kanë deklarue se që nga marrja e mandatit për patrullimin e kufinit, ata në vazhdimësi kanë patrullue vijën kufitare, e cila përputhet në tanësi me vijën e shejueme nga Komisioni Shtetnor.

“Ata, po ashtu, kanë dhanë argumente hartografike, teknologjike (GPS) dhe detaje tjera që lidhen me punën e tyne, të cilat argumentojnë vijën kufitare, e cila si e tillë asht respektue dhe figuron në hartat e lana nga KFOR’i”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu vendosmëninë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e konsultave të gjithanshme, me tana subjektet e interesueme dhe organet shtetnore, puna e të cilave në çfarëdo forme lidhet me brezin kufitar me Malin e Zi, me qëllim të argumentimit dhe faktimit të tana çashtjeve që lidhen me shejimin e vijës kufitare me Malin e Zi.