Kryeministri Mustafa: Të gëzohemi për sukseset e njimbasnjishme që po i arrijmë

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka shprehë gëzimin për njohjen e shtetit të Kosovës nga Singapori si dhe për ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

“Kosova po ecën fuqishëm në rrugën e forcimit dhe zhvillimit të saj të gjithanshëm. T’i gëzohemi krejt sukseseve tona të përbashkëta e të njimbasnjishme që po i arrijmë”, ka shkrue Mustafa në Facebook.

Lexoni postimin e plotë:

Po e mbyllim ditën e sotme me dy lajme shumë të mira për vendin tonë.

Republika e Kosovës është njohur zyrtarisht nga Republika e Singaporit dhe dy shtetet tona do të vendosin marrëdhënie diplomatike. Kjo njohje e çon në 113 numrin e vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës duke pasur rol të rëndësishëm në fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë.

Lajm shumë i mirë është edhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës i Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila i mundëson Kosovës përfitimin e 78 milionë eurove, të cilat do të përdoren për hapjen e vendeve të reja të punës, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe fuqizimin e mëtejmë të qeverisjes së mirë.

Kosova po ecën fuqishëm në rrugën e forcimit dhe zhvillimit të saj të gjithanshëm. T’i gëzohemi të gjithë sukseseve tona të përbashkëta e të njëpasnjëshme që po i arrijmë.