Kryeministri: Serbët s’kane me u pengue gjatë votimit veç për me ia argumentue se jetesa e tyne asht me rregullat e shtetit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thanë se Qeveria e Kosovës nuk ka me i pengue qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, me shpreh vullnetin e tyne tue votue për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Kryeministri këtë e tha në Facebook, tue shtue se kjo ka me ndodh me iu dhanë argumente serbëve se e ardhmja e tyne s’asht retorika nacionaliste boshe e mitet e rreme, por asht jetesa në Kosovë me rregullat e shtetit të Kosovës.

Ky asht shkrimi i plotë:

Këto ditë kemi qenë dëshmitarë të intensifikimit të skemave të retorikës nacionaliste të Serbisë karshi Kosovës. Asgjë e re. Për fatin e tyre të keq, thjeshtë dhe vetëm retorikë boshe. Sepse, Kosova, kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të jetë e Serbisë. Ajo është e qytetarëve të saj të lirë, të pavarur e sovranë. Që fatin e tyre e kanë lidhur me vlerat europiane perëndimore. Vlera që nuk pranojnë hegjemoninë. Por, vlera që promovojnë diversitetin.
Dallga e retorikës serbe karshi Kosovës do të kalojë. Qytetarët kosovarë të përkatësisë etnike serbe do ta kuptojnë se qëllimi i vërtetë i asaj retorike është gara e politikanëve të Serbisë për të përfituar sa më shumë vota prej tyre. E kur t’i marrin votat e tyre, ata do të detyrohen t’u thonë serbëve kosovarë se zgjidhjet për problemet e tyre duhet t’i kërkojnë në Prishtinë. Sepse ky do të jetë epilogu. Edhe i dialogut të Brukselit. Edhe i dialogut për përafrimin e Kosovës, por edhe Serbisë në Bashkimin Evropian.
Unë drejtoj një qeveri demokratike të një vendi demokratik. Qeveria që unë drejtoj nuk i pengon qytetarët e saj të shprehin vullnetin e tyre. Qoftë edhe duke hedhur vota për zgjedhjet e Serbisë nëpër qendrat grumbulluese të cilat do t’i menaxhoj OSBE. Përkundrazi. Ne do t’ua mundësojmë atyre ta shprehin atë vullnet. Por, pandërprerë, do t’u japim argumente atyre se e ardhmja e tyre nuk është retorika nacionaliste boshe. Mitet e rreme. Por, është jetesa në Kosovë, me fqinjët e tyre, me rregullat e shtetit të Kosovës, që janë rregulla evropiane të një vendi demokratik.
Jam i bindur se edhe ata vet, shumë shpejt do të binden për këtë. Dhe do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre të mos humbasin kohën duke shoqëruar mbledhësit e votave, por të punojnë fort aty ku janë dërguar, në Qeveri e në institucionet tjera të Republikës së Kosovës, për një të ardhme më të mirë për ta.