Kryeprokurori i Shtetit, çka thotë për listat e veteranëve të luftës!

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reague ndaj nji lajmi të publikuem në media, ku thuhej se Prokuroria pritet me ba pastrimin e listave për veteranët e UÇK’së.

Në nji reagim dërgue mediave, zyra e Kryeprokurorit ka njoftue se Prokuroria nuk e ban pastrimin e këtyne listave, me arsyetimin se asht institucion përgjegjës vetëm për ndjekjen e personave të dyshuem për kryemjen e veprave penale.

 

Lexoni njoftimin e plotë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit:

Gjatë ditës së djeshme në disa media janë publikuar raporte, në të cilat është pohuar se: “Prokuroria do të bëj pastrimin e listave për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, njofton se Prokurori i Shtetit nuk është institucion administrativ që merret me pastrimin e listave të veteranëve.

Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur kompetent dhe përgjegjës vetëm për ndjekjen e personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale dhe hetimet do t’i kryej në secilin rast që ka dyshim të bazuar që është kryer një vepër penale dhe plotësohen kushtet e parapara me ligj. Kjo do të thotë se Prokurori i Shtetit nuk merret me procesin, por vetëm me raste individuale, kur ka dyshim të bazuar se është kryer vepër penale.

Edhe për këtë rast Prokuroria ka vepruar në këtë mënyrë, duke filluar të bëjë grumbullimin e informatave të nevojshme për të përcaktuar nëse ka vend për inicimin formal të hetimeve, në lidhje me rastet individuale të keqpërdorimeve eventuale që kanë mundur të ndodhin gjatë hartimit të listave të veteranëve të UÇK-së.

Më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës ose jo. Pra, ky hetim është i drejtuar ndaj atyre individëve që kanë kryer keqpërdorime eventuale duke dhënë dëshmi të rrejshme apo duke paraqitur dokumentacion fiktiv të falsifikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës dhe jo për pastrimin e listave për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prokurori i Shtetit pret që Qeveria dhe Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, të bashkëpunojnë me Prokurorin e Shtetit, duke ofruar informatat dhe provat që kanë për kryerjen e ndonjë vepre penale gjatë këtij procesi.