Kryeprokurori Lumezi i përgjigjet Presidentit Thaçi

Përmes nji njoftimi për medie, Prokurori i Shtetit, konfirmon se dje ka pranue katër shkresa nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky institucion thotë se kërkesat nga katër letrat e Thaçit, kanë me u trajtue dhe adresue me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

“Andaj, Prokurori i Shtetit konsideron se letra e Presidentit të Republikës së Kosovës asht në përputhje me objektivat e Prokurorit të Shtetit, dhe se për mënyrat se qysh të arrihet deri te nji situatë e tillë, tashma ka kohë që janë diskutue modalitete mbrenda zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, andaj nga kjo edhe rrjedh se kurdoherë që nji kërkesë asht në pajtim me objektivat dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit, kërkesat e tilla kanë me u trajtue dhe adresue me seriozitet dhe përkushtim profesional e maksimal”, thuhet në njoftimin e Prokurorit të Shtetit.

Prokurori i Shtet thotë se ka fillue në muejin Kallnor të këtij viti, hetimin e krimeve të luftës, të ndodhuna në katundet: Mejë, Dubravë, Qyshk, Lubeniq, Grashtica dhe Krusha e Madhe. Ai ka thanë se janë landë, në të cilat po punojnë prokurorët intensivisht për përfundimin e tyne.

“Ndërsa, më 08.01.2016, KPK ka caktue dy prokurorë në Departamentin e Krimeve të Luftës, me qëllim të rritjes së resurseve mbrenda Prokurorisë Speciale, e me fokus të posaçëm në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës, kështu tashma PSRK ka në punë gjithsej 167 raste me 456 persona, nga prokurorët e EULEX’it janë transferue 69 raste me 218 persona te prokurorët vendorë në Departamentin e Krimeve të Luftës në kuadër të PSRK’s”, thotë zyra e Prokurorit të Shtetit.

Megjithatë, Prokurori i Shtetit ka thanë se në letrën e Thaçit janë përmendë disa krime, të cilat janë gjykue ma parë nga gjykata kompetente dhe se janë mbyllë rastet. Ky institucion thotë se simbas ligjeve në fuqi, për disa raste asht e pamundshme hapja e sërishme e hetimeve,

“Sidoqoftë, tërheqim vërejtjen se nji pjesë e krimeve që supozohet se janë krye, tashma janë gjykue nga gjykata kompetente dhe parimi NE BIS IN IDEM, parim ky i vendosun në dispozitën e nenit 4 të KPP’s, pamundëson hapjen e sërishme të hetimeve kurdoherë kur ato tashma kanë marrë nji epilog nga ana e nji gjykate”, thotë Prokurori i Shtetit.