Kryetarët e komunave hakmerren ndaj Presidentes

Në mëngjesin e 12 Kallnorit, Presidentja e Republikës bashkë me 3 odat ma të mëdha ekonomike, nisi nji tur nëpër komunat e Kosovës, tu’ premtue se ka me i vizitue të gjitha, por me afrimin e fundit të mandatit, ajo jo vetëm që nuk shkoi në veri, por i la pa vizitue 3 prej komunave ma të mëdha në vend: Prizrenin, Gjakovën dhe Mitrovicën.

Madje edhe me 14 Mars, Presidenca konfirmoi për Televizionin Rrokum se turi i Presidentes ka me vazhdue, por kjo nuk ndodhi kurrë.

Interesimit të Televizionit Rrokum për arsyen e mosardhjes së Presidentes, Komuna e Prizrenit i asht përgjigjë se kjo nuk ka lidhje me faktin që kryetari Ramadan Muja asht në nji proces gjyqësor. Gjakova tha se Presidentja ka dashtë me ardhë, por kryetarja ka qenë jashtë shtetit, ndërsa kryetari i Mitrovicës e kaloi me të qeshun, tu’ mos dashtë me e dhanë arsyen e Presidentes, meqë ajo asht në fund të mandatit.

Edhe pse ishte mundësia e fundit e tyne për me u takue me Presidenten, ndoshta mosardhja e saj në komunat e tyne, ishte arsyeja që shumica e kryetarëve e refuzuen sot ftesën e saj.

Se kryetarët kanë pasë ftesë, e konfirmoi edhe kryetari i Gjilanit, i cili tha për Televizionin Rrokum se për shkaqe shëndetësore nuk ka marrë pjesë në takimin e sotëm.

E në prani të Kryeministrit dhe nji pjese të mirë e kabinetit qeveritar, Presidentja bani thirrje për komunikim ma të mirë mes dy palëve.

Odat Ekonomike e shfrytëzuen praninë e Kryeministrit për me i numërue problemet e komunave.

Ndërsa Kryeministri, që javët e fundit duket se po vazhdon turin e Presidentes nëpër komuna, u mjaftue me renditjen e sukseseve të Qeverisë që drejton.

Mustafa falenderoi Presidenten për punen e këtyne 5 viteve në krye të shtetit, tu’ përmendë edhe përfitimin e Kosovës nga Koorporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.