Kryetari i Kuvendit, Veseli, priti ministrin britanik Boris Johnson

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe të Komonuellthit të Mbretnisë së Bashkueme, njiherit deputet i Parlamentit, Boris Johnson, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.

Kryetari Veseli dhe ministri Johnon diskutuen për marrëdhaniet e shkëlqyeme midis Kosovës dhe Britanisë së Madhe, ndërsa në shejë nderimi, shkëmbyen dhurata.

Mandej, ministri i jashtëm britanik iu adresue me nji fjalë rasti Kuvendit të Republikës së Kosovës, në nji seancë solemne të thirrun për nder të tij.

Fillimisht, tue përshëndetë dhe i urue mirëseardhje në Kosovë dhe në Kuvendin e saj mysafirit nga Britania e Madhe, kryeparlamentari Veseli tha se kjo vizitë asht shprehje e marrëdhanieve shumë të mira që janë ndërtue midis dy vendeve, si dhe shprehje e përkushtimit të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për me ndihmue Kosovën.

Britania e Madhe, shtoi kryetari Veseli, ka qenë gjithmonë pranë Kosovës dhe emni i saj asht i lidhun në mënyrë të pandashme me historinë e lirisë dhe pavarësisë sonë. Populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e tij të zgjedhun, tha kryetari i Kuvendit, kanë me qenë gjithmonë mirënjohës këtij shteti mik.

vv-veselli-ky-tipi