Kryetari i VV’s, Ymeri, kritikon shpalljen e pamvarësisë së Kosovës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka përkujtue sot 25 vjetorin e Referendumit për Republikën e Kosovës.

Ymeri ka theksue se pjesëmarrja dhe votimi shumicë i qytetarëve ishte shpallje e vullnetit për liri të nji populli të shtypun e diskriminuem nën Jugosllavi, të nji populli të ranë pre e hegjemonisë shoviniste dhe racizmit shtetnor të Serbisë.

Gjithashtu, Ymeri ka thanë se asnji popull në botë, pra as shqiptarët, nuk durojnë të jenë të pabarabartë.

Ky asht postimi i plotë:

Përkujtojmë sot 25 vjetorin e Referendumit për Republikën e Kosovës. Në atë referendum qytetarët e Kosovës morën pjesë masivisht, 87.01%, e prej pjesëmarrësve, 99.87% votuan PËR. Ajo votë ishte shpallje e vullnetit për liri të një populli të shtypur e të diskriminuar nën Jugosllavi, të një populli të rënë pre e hegjemonisë shoviniste dhe e racizmit shtetëror të Serbisë. Ajo votë në referendum ishte përpjekja demokratike për çlirim kombëtar, përpjekje e cila ra në vesh të shurdhët ndërkombëtarisht, gjë që çoi tek Lufta Çlirimtare. Mësimi është i vlefshëm ende sot, në kohën kur referendumet po i lejohen shtypësve, por nuk po i lejohen të shtypurve. Ky mësim është i tillë: Asnjë popull në botë, pra as shqiptarët, nuk durojnë të jenë të pabarabartë. Nuk durojnë të trajtohen si kusur, për shuarjen e apetiteve gjeopolitike të tjetërkujt. Çdo përpjekje për normalizim të pabarazisë, të diskriminimit, apo të heqjes së sovranitetit të një populli, në këtë rast popullit tonë, e cenon të ardhmen paqësore të regjionit. Ndaj të mos përsëritet gabimi që u bë duke mos e dëgjuar zërin e të shtypurve, në Referendumin për Republikën e Kosovës në vitin 1991.

Shpallja e pavarësisë më 2008, pa e përfshirë popullin në të as si përpjekje çlirimtare e as si aktualitet demokratik, bëhet një zë i pavarësisë paradoksalisht i shkëputur nga trupi e nga truri që kanë nevojë për atë pavarësi. Ky zë i shkëputur nga trupi e nga truri i kombit, flet fjalët e tjetërkujt. Ajo shpallje e ka futur Kosovën në një proces dialogu pa principe e të pakushtëzuar, a thua se dekadat e diskriminimit, shtypjes dhe racizmit, na qenkan shkaktuar si pasojë e mungesës së komunikimit mes palëve. Ne e dimë se ai racizëm e diskriminim rrënjët i ka në prirjen e një segmenti të rëndësishëm të politikës serbe për të hegjemonizuar Ballkanin Perëndimor, dhe pa u këputur ato rrënjë, asnjë dialog nuk mund të prodhojë normalizim, pasi do të mbetet dialog mes kasapit edhe viktimës.

Sot, qeverisja e Kosovës është bërë qeverisje kompromisesh me Serbinë. Është lëshim pe e shpesh edhe gjunjëzim para saj. Por, sot populli është i gatshëm që të marrë pjesë në çështjet kryesore të Republikës, pavarësisht se e drejta për referendum po u mohohet me kushtetutë. Këtë gatishmëri po e tregon me pjesëmarrje në protesta, ku masivisht dhe vendosmërisht e ka ndalur këtë Qeveri në jetësimin e planeve të përbashkëta me Serbinë, sigurisht të dëmshme për Kosovën.