Kujdes! Policia porosit qytetarët: S’ka aryetime, nuk falim!

Policia e Kosovës ka ba të ditun se ka marrë masa shtesë me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit kanë shënue ngritje.

Komunikata:

Policia e Kosovës ka krijuar Task-forcën përmes së cilës është shtuar prezenca e policisë në rrugë, duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj kundërvajtësve në trafik, krejt kjo me qëllim të uljes së numrit të aksidenteve.

Aplikimi i masës zero-tolerancë ndaj kundërvajtësve në trafik, sipas Policisë së Kosovës, ka shtuar numrin e shqiptimit të gjobave ku vetëm në 24 orët e fundit janë shqiptuar 2218 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë edhe për tejkalimin e shpejtësisë që është njëri prej shkaktarëve kyç të aksidenteve me pasoja fatale.

Policia e Kosovës zotohet se Task forca e formuar do të vazhdojë me angazhimet e saja në terren deri në arritjen e qëllimit dhe objektivave për përmirësimin e sigurisë në trafik dhe parandalimin e aksidenteve.

Sikurse edhe më parë, Policia e Kosovës vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik e posaçërisht shoferëve të automjeteve, që të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për një siguri më të madhe në trafik.