Kur ‘godet’ Çollaku: Demarkacioni asht kushti i fundit për liberalizimin e vizave!

Ministri i Integrimeve Europiane të Kosovës, Bekim Çollaku, në nji intervistë për gazetën Express, ka theksue se kriteri i luftimit të korrupcionit për liberalizimin e vizave asht plotësue nga Kosova.

Ai tash thotë se demarkacioni asht kushti i fundit dhe se këtë e dinë të gjithë deputetët nga bisedat me deputetët e PE’s dhe Përfaqësuesja e Naltë Federica Mogherini.

“Po, takimi i radhës i Komisionit për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Mbrendshme i Parlamentit Europian që ka me votue mbi propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën asht i caktuem për datën 5 Shtator.

Unë jam i sigurt që votimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufinit me Malin e Zi nga ana e Kuvendit të Kosovës ka me rezultue që ky propozim të miratohet nga ky komisioni parlamentar.

Por si e dini kjo nuk asht përfundimi i krejt procesit vendimmarrës në BE, ai duhet pastaj me miratue edhe në nji seancë plenare të Parlamentit Europian dhe nga Këshilli i BE’s. Unë flas me siguri të plotë për gjanat dhe vendimet që janë në kuadër të pergjegjësisë sime si ministër i qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e vendimmarrjes asht pergjegjësi e institucioneve të BE’s. Por nji gja asht e sigurt, në rast se na do të përmbushim obligimin e mbetun, atëherë edhe BE do ta ketë të pamundun me gjetë arsyetime për zvarritjen e marrjes së vendimit për liberalizimin e vizave. Në skenarin pozitiv, patjetër që vendimi për liberalizimin e vizave do të merret deri në fund të këtij viti. Në të kundërtën, do të kishte efekt shkatërrues për kredibilitetin e BE’së në Kosovë mos përmbushja e obligimit dhe zotimit për liberalizimin e vizave”, tha ai.