Kur u zgjodha Presidente, urimi i nanës ishte: Mos më harro!

Shumëkujt mundet me iu dukë e lehtë detyra e Presidentes, por në nji vend si Kosova, ku edhe me qenë grue asht e vështirë, kjo detyrë bahet edhe ma e vështirë.

Këtë e pranoi para pak kohësh edhe vetë Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, gjatë nji forumi të mbajtun në Shtetet e Bashkueme, e të organizuem nga Banka e Amerikës, ku mori pjesë edhe nji anëtarë e Dhomës së Lordëve të Parlamentit Britanik, Baronesha Mary Goudie.

Pamvarësisht përgjegjësive, në Kosovë, për mue ka qenë njajtë si për çdo burrë që ka qenë para meje në atë zyrë, apo që ka me ardhë mbas meje. Por çka ishte ndryshe? Ndryshe ishte se më duhej 300 ose 3 mijë përqind ma shumë mundim për me u pranue 1 ose 5 përqind! Ma shumë lajm ishte se si i krehi flokët, si jam veshë apo çfarë çante kam, se sa çfarë strategjie apo politike po ndjeksha, – kishte thanë Presidentja.

Presindetja thotë se kjo nuk asht e vështirë vetëm në Kosovë, por kudo në botë.

Po flasim ende për numra që mundemi me i numërue me gishtat e dorës. Nëse nuk gabohem, jemi veç 10 gra në krye të shteteve, e janë veç 11 gra në krye të Qeverive në tanë botën. Urrej me e ndigjue kur thuhet se gratë në krye të shteteve janë përjashtim, ose raste të veçanta. Duhet me i dhanë fund kësaj. Nuk asht përjashtim, nuk asht rast i veçantë. Na jemi aty për shkak të vlerave që kemi. Na përfaqësojmë gjysën e shoqnisë, e në Kosovë, femnat janë 51%,- tha Presidentja.

Simbas Presidentes, vetëm kur kur brezat e ardhshëm të mos flasin ma për barazinë gjinore, ka me pasë nji proces të drejtë konkurrues mes burrit dhe grues në shoqni.

Që prej viti 2008 na e kemi me ligj kuotën 30 përqind të përfaqësimit të grave në institucione. Para nji viti pata nji debat të ashpër me Bashkimin Europian, sepse ata erdhën me idenë për me e heqë kuotën, sepse na qenka kundër të drejtave të njeriut! Por sa të drejta njerëzore munden me u shkelë nëse na e ulim këtë përqindje me vetëm 5 përqind. Të gjithë e pranojmë se të drejtat e grave janë të drejta të njeriut, – tha ajo.

Tu’ kujtue urimin e nanës së saj, ditën e 7 Prillit 2011 kur u zgjdodh Presidente e Republikës, Jahjaga thotë se gratë duhet me e mbështetë njana-tjetrën.

Kur u zgjodha Presidente, 5 vjet ma parë, nana ime ishte ndër njerëzit e parë që më telefonuen për me m’urue. Urime, bija ime, më tha, e të lutëm, mos më harro. I thashë: Nanë, s’kam me t’harrue kurrë, sepse ti je nana ime. Por ajo ma ktheu: Nuk thashë si nanë, thashë si grue. Sepse nëse ti nuk më harron mue, vajza jote nuk ka me t’harrue ty. Na pëlqen me e pranue apo jo, por druej se herë-herë na jemi anmiket ma të mëdhaj të vetes sonë, – theksoi Presidentja Jahjaga.

Ma tej, në këtë forum, Presidentja ka folë edhe për të mbijetuemet e dhunës seksuale gjatë luftës, për të drejtat ekonomike të grave etj.