Kursimet e qytetarëve tejkalojnë buxhetin e përgjithshëm të vendit

Shuma e mjeteve materiale të kursyeme të qytetarëve në bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, asht ma e madhe se sa buxheti i përgjithshëm i vendit.

Përderisa buxheti për këtë vit, kap shifrën rreth 1 miliard e 600 milionë euro, depozitat e qytetarëve janë nji miliard ma tepër, apo mbi 2 miliardë e 600 milionë euro.

Përveç kësaj vlere, qytetarët e Kosovës mjete të kursyeme kanë edhe në valuta tjera, shuma e të cilave arrin në 127 milionë.

Simbas të dhanave të fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, vërehet se nga vlera e përgjithshme, depozitat e ekonomive familjare kapin shifrën rreth 2 miliardë euro, kurse ndërmarrjet kanë të kursyeme mbi 500 milionë euro.

Megjithatë, ekspertë për çashtje financiare shumën e mjeteve të kursyeme e konsiderojnë befasuese, por edhe shqetësuese.

Simbas tyne, Kosova ballafaqohet me shkallë të naltë të papunësisë dhe varfnisë, kurse në anën tjetër, kanë arritun në mbi 2. 6 miliardë euro depozitat në banka.

E, shqetësues mbetet fakti se, në mungesë të nji ambienti të sigurt për investime, qytetarët obligohen që mjetet e tyne financiare me i mbajtë të bllokume në institucionet financiare, pamvarësisht faktit se norma e interesit në depozita asht jashtëzakonisht ulët.

Nazmi Mustafa, rektor në Kolegjin e Menaxhmentit Internacional “Globus”, për Radion Europa e Lirë, thotë se autoritetet kompetente duhet me krijue kushte që këto mjete me u shfrutëzue për biznese ose shërbime.

“Në Kosovë ende nuk kemi nji strategji zhvillimore, e cila në mënyrë racionale kishte me i angazhue këto depozita dhe atëherë norma do kishte me u rritë edhe në depozita, kurse përfitimi ma i madh asht për ekonominë dhe shtetin, mbasi krijojnë nji mundësi të rritjes së normës së Bruto Produktit Vendor”, thotë Mustafa.

Eksperti për çashtje financiare, Mejdi Bektashi, tregon se dekadën e fundit, për çdo vit ka pas rritje të vlerës së depozitave.

Arsyeja e mbajtjes së pareve të ngrime, simbas tij, tregon pasiguri për me investue, po njiherësh tregon besimin që qytetarët kanë ndaj institucioneve financiare që veprojnë në Kosovë.