Kush asht grueja që ‘ndaloi’ daljen e Britanisë nga BE?

Emni i saj asht ma i kërkuemi në internet orët e fundit.

Ajo quhet Gina Miller dhe asht nji investitore britanike.

Por, pse po përfolet kaq shumë emni i saj?

Për shkak se 51 vjeçarja së bashku me dy të tjerë, kërkoi që Gjykata e Naltë në Britani me vendosë se kush duhet me kërkue nisjen e bisedimeve për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.

Gjykata e Naltë vendosi se duhet me qenë parlamenti ai që duhet me marrë këtë vendim, tue i dhanë të drejtë Miller.

Mediat britanike e shohin këtë si nji goditje të fortë për qeverinë e Theresa May, që kishte mendue se mundet me i nisë vetë bisedimet për largimin nga BE.

Çfarë implikime ka nji vendim i tillë?

Disa thonë se kjo nuk e ndalon daljen e Britanisë nga BE, por krijon nji krizë kushtetuese.

Tabloidët britanikë, që ishin të zashëm në betejën për largimin e Britanisë nga BE, kanë nisë me sulmue zojën Miller.

Daily Mail shkruen se ajo po e nxjerr demokracinë britanike nga binarët.

“E bukur, e vendosun dhe me shumë lidhje, ish-modelja e lindun në Amerikën e Jugut, ishte figura kryesore në betejën e zhvillueme në Gjykatën e Naltë”, shkruen DM.