Kush asht Hillary Clinton?

Hillary Clinton ka hy në histori shumë herë – ma s’fundit si grueja e parë që ka fitue emnimin për kandidate për presidente nga nji parti kryesore në Amerikë. Por, a ka me ja arriyë ish zoja e parë, senatorja dhe Sekretarja e Shtetit, me u ba edhe presidente?

Korrespondentja e Zanit të Amerikës Carolyn Presutti pregaditi materialin rreth jetës së grues që, si mbështetësit e saj, edhe Donald Trump’i, pajtohen se asht luftare.

Hillary Clinton hyni në histori Korrikun e kaluem, si grueja e parë kandidate për presidente nga nji parti kryesore.

“Unë e pranoj emnimin tuej për presidente të Shteteve të Bashkueme”.

Gjatë gjithë jetës së saj, 69 vjeçarja Clinton ka pasë plot “herë të para”.

Në Kolegjin “Wellesley” në vitin 1969, ajo ishte studentja e parë që mbajti fjalim gjatë ceremonisë së diplomimit. Në juridik në universitetin “Yale”, ajo u takue me Bill Clintonin. Ata u martuen dhe u banë prindë të vajzës Chelsea. Bill Clintoni u zgjodh president në vitin 1992. Hillary Rodham Clinton nuk e pranoi rolin tradicional të nji zoje të parë dhe qëndroi aktive në politikë.

Gazetari Ron Fournier ka mbulue çiftin Clinton gjatë tanë karrierës së tyne.

“Ajo e dinte se cili ishte plani afatgjatë për ta politikisht dhe e mbajti vëmendjen aty.”

Por, ata i ndiqte polemika. Historitë e vazhdueshme të tradhtive të Presidentit Clinton arritën kulmin me skandalin e Monica Lewinsky’t. Zoja e Parë u hetue në atë kohë. Publiku u ba skeptik, thotë Stephen Wayne në Universitetin Georgetown.

“Ka nji numër njerëzish që nuk mendojnë se ajo asht e sinqertë apo e besueshme”.

Por, prapë Hillary Clinton hyni në histori në vitin 2001, si e para zojë e parë që zgjedhej në post politik, si senatore e shtetit të New Yorkut. Ajo votoi për luftën në Irak në vitin 2003 dhe për Aktin e Reformës së Emigracionit në vitin 2007.

“Na kemi nevojë për reforma gjithëpërfshimëse të imigracionit, me mundësi për nënshtetësinë,” tha ajo.

Presidenti Obama emnoi ish-rivalen e tij si Sekretare Shteti. Zoja Clinton udhëtoi në 112 vende gjatë atij posti – numri ma i madh për nji Sekretar Shteti.

Por, ajo u kritikue për sulmin e nji ndërtese diplomatike në Bengazi, të Libisë, ku u vranë katër amerikanë.

Gjatë garës presidenciale të këtij viti, atë e ka mundue nji tjetër skandal, për të cilin ende folet.

Në vitin 2015, doli lajmi se zoja Clinton ka mujt me përdorë nji server privat e-maili për leximin e informacioneve sekrete qeveritare. Por, mbas hetimesh, FBI’ja tha se ajo ishte e pafajshme.

“Asnji prokuror i arsyeshëm nuk kishte me hapë nji çashtje të tillë”.

Por, dhetë ditë para zgjedhjeve, drejtori i FBI’s James Comey njoftoi zbulimin e disa e-maileve të tjera që ai tha se janë të randësishme mbi hetimin.

Skandali i emaile-ve asht sfida e saj e madhe për me kapërcye, që me arritë me u ba e para presidente grue. /VOA