Kush asht shqiptari qe parandaloi sulmin terrorist në nji aeroplan n’Amerikë

Arian Prevalla luftoi në ajër për kontrollin e avionit me studentin nga Jordania – dhe i mbijetoi rrximit
FBI asht tue hetue nji rast të mundshëm terrorizmi në East Hartford, Connecticut, ku nji avion i vogël u rrxue të Martën mbasdite afër nji uzine me randësi të madhe ushtarake.

Në pamje të parë dukej si nji aksident, por nji nga dy drejtuesit e avionit të rrxuem, që arriti me mbijetue ka thanë se rrximi kishte qenë i qellimshëm.

Arian Prevalla, shqiptaro-amerikani, që drejton nji shkollë të pilotimit, në SHBA, luftoi për me marrë në dorë kontrollin e avionit, kur student i tij me origjinë nga Jordania, refuzoi në mes të fluturimit që të ndiqte itenerarin e planifikuem.

Avioni u rrxue pranë Uzinës “Pratt & whitney” që prodhon motorë avionësh, disa prej të cilëve për ushtrinë amerikane.

Si ban të ditun gazeta shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York, Uzina numërohet si nji pikë me randësi strategjike për sigurinë kombëtare amerikane.

Afërsia me uzinën nxiti menjiherë interesin e FBI’s, ndërsa tregimi i instruktorit shqiptar ka sjellë fillimin e nji hetimi urgjent.

Agjentët federal kanë kontrollue apartamentin në Illinois, të studentit jordanez, po nuk kanë ba ndonji njoftim deri tash.

Avioni goditi nji nga shtyllat dhe telat e elektrikut tue marrë flakë.

Nga rrximi mbeti i vdekun studenti 28-vjeçar.

Për shkak të përplasjes, nji pjesë e zonës përreth humbi furnizimin me rrymë.

Guvernatori Dannel P. Malloy ka paralajmërue që publiku të mos hidhet në përfundime pa mbarue hetime për incidentin.

Prevalla, i cili e ka hap shkollën e pilotimit, në 2006, në Hartford, Connecticut, asht edhe President i Akademisë Amerikane të Fluturimit.

Ai ka marrë plagë të mëdha djegie por besohet se asht jashtë rrezikut për jetën.