Kush ishte Bajram Rexhepi, ish-kryeministri i parë i Kosovës (biografi)

Në moshën 63-vjeçare ka ndrrue jetë sot në nji spital në Turqi ish-kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Rexhepi ka lindë më 3 Qershor të vitit 1954 në Mitrovicë. Në vitin 1979 kishte përfundue fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet mbas-universitare i ka përfundue në vitin 1985 në Zagreb.

Gjatë luftës së viteve 1998-99, Rexhepi iu bashkue Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kaloi tre muej në male tue shërbye si mjek në zonën operative të Shalës.

Mbas luftës, Rexhepi shërbeu si kryetar i këshillit komunal të Mitrovicës dhe kryetar i Mitrovicës së jugut.

Më 4 Mars të vitit 2002, mbas tre muej bisedimesh dhe me ndërmjetësimin e ish-kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Bajram Rexhepin si kryeministrin e parë të Kosovës, ndërsa Ibrahim Rugova ishte zgjedhë president i Kosovës. Rugova ka vdekë më 21 Kallnor të vitit 2006.

Ndërsa, gjatë periudhës 2010-2014, Rexhepi ka qenë ministër i mbrendshëm i Kosovës.