Kush thotë se Kryeministri asht në panik!

isamustafa

Sekretari organizativ i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Ali Berisha, ka replikue me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa i cili, në postim të vetin, kishte fajësue AAK’n, por edhe deputetë të LDK’s, për deshtimin e liberalizimit të vizave.

Kryeministri asht në panik dhe ai po shkruen në terr ashtu si e ka ba edhe koalicionin Thaçi- LDK natën, ka shkrue Berisha tue numërue, simbas tij, shumë shkaqe që e shtyjnë Mustafën me i ba këto akuza ndër të cilat ai përmend edhe “tutën që Mustafa ka nga partneri i koalicionit që ja përmend shkëputjen.

 
Ky asht reagimi i Sekretarit organizativ të AAK’s:

 

Kryeministri i koalicionit Thaçi – LDK, Isa Mustafa, paska dalur sonte me një reagim fajësues ndaj AAK-së, në raport me Demarkacionin.

Kryeministri në ‘panik’, çdoherë na shkruan natën, në terr. Natë ishte, terr, edhe kur e bëri koalicionin.

Mustafa akuzon AAK-në, opozitën dhe një pjesë të LDK-së duke u hedhur fajin, se me ndaljen e demarkacionit e penguan liberalizimin.

I hidhëruar sonte edhe me deklaratat e ish-shefit të tij, z. Fatmir Sejdiu, z. Mustafa sikur me dhjetëra herë në të kaluarën edhe sonte u mundua të bëjë ‘balancë’ politike, për konsum të brendshëm, dihet, duke tentuar të godas sërishë AAK-në.

I ndodhur në panikun e një kryeministri që ka humbur kokën, (vdekja e dyshimtë ende e pa zbardhur e të ndjerit Astrit Dehari, ndarja e buxhetit në kalkulim elektoral për LDK-në, zërat e partnerit për shkëputje rrugësh, pakënaqësitë e themeluesve të LDK-së ndaj personit të tij dhe një varg realitetesh tjera), z.Mustafa drejton shigjetat nga AAK-ja.

z. Mustafa, me keqardhje për deklarimet që po i bëni, të sigurojmë edhe njëherë, sikur me dhjetëra herë më parë, se; Demarkacioni nuk kalon. se; Populli e ka të qartë dëmin e këtij projekti të cilit fatkeqësisht ju po vazhdoni t’ia bëni avokatin. Demarkacioni si i tillë, me shtetin mik, Malin e Zi, është kauzë kundërshtuese gjithëpopullore. Si i tillë, tashmë është i vdekur. Ndërsa arsyet që çojnë tek mos liberalizimi i vizave dhe kriteret për të, ju e dini, se ua kanë komunikuar në mes të Prishtinës, të gjithë miqtë ndërkombëtarë të Kosovës. Mos i mbani fshehur, mos i mbuloni duke u marrë me AAK-në, por shpalosjani opinionit.