Kush thotë se SHBA dhe Rusia janë në prag të luftës

Marrëdhaniet mes Rusisë dhe Perëndimit kanë hy në nji luftë të re të ftoftë, që po përplas palët në pjesë të ndryshme të globit, në përpjekjen e Vladimir Putinit për me sfidue hegjemoninë amerikane në çashtjet ndërkombëtare.

Ky asht mendimi i ish-ushtarakëve të naltë dhe ekspertëve të politikës së jashtme në Moskë, të cilët paralajmërojnë se riaktivizimi i dy kampeve të Luftës së Ftoftë mundet me çue në nji përballje po aq të rrezikshme sa ajo e raketave në Kubë, e njohun ndryshe edhe si “Kriza kubane”.

“Nëse e krahasojmë me Luftën e Ftoftë, jemi diku mes nisjes së ndërtimit të Murit të Berlinit dhe krizës së raketave në Kubë”, thotë Gjenerali rus, Evgeny Buzhinsky.

Buzhinsky ka mbajtë postin e ish-shefit në departamentin e pakteve ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes ruse dhe aktualisht drejton nji qendër private studimore në Moskë për çashtjet e sigurisë dhe marrëdhaniet ndërkombëtare.

“E thanë ndryshe, po rrokullisemi drejt nji përplasjeje gjithnji e ma të ashpër dhe për ma tepër pa asnji mekanizëm ndërkombëtar menaxhues të konfliktit”, thotë ai.

Qëndrimi i gjeneralit të tërhequn rus përforcohet nga deklarata e fundit e Ministrisë së Jashtme në Moskë, e cila akuzoi Washingtonin se po përpiqet m’i dhanë goditjen e fundit marrëdhanieve mes dy vendeve, tue iu referue këtu propozimeve në Shtetet e Bashkueme për sanksione të reja ndaj Rusisë.