Kuvendi i Kosovës “refuzon” me e njoftë Masakrën e Tivarit

Ata u vranë në fund të Marsit dhe në fillim të Prillit të vitit 1945, por si datë “zyrtare” e Masakrës së Tivarit njihet 1 Prilli.

Deri në mes të viteve ’90 nuk u shkrue për këtë, por as tash, Shqipnia dhe Kosova nuk e dinë nëse aty u vranë 1700 apo 4300 kosovarë të rekrutuem me dhunë nga ushtria jugosllave, në kohën kur shef i Shërbimit Serket Jugosllav OZNA, ishte Aleksandar Rankovic.

E pikërisht koha e Rankovic’it po merret si kufini ma i hershëm për njohjen e statusit të dëshmorit nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Flora Brovina, ku po shqyrtohen ndryshimet në ligjin përkatës, tha se nuk ka dokumentacion përpara vitit 1956.

Ndërsa eksperti ligjor i angazhuem nga Kuvendi për këtë qëllim, Emrush Ujkani, tha se ligji përfshin të gjithë të ramët e kohës së Jugosllavisë.

Mirëpo të vramët e Masakrës së Tivarit po mbesin jashtë këtij ligji, sepse si tha kryetarja Flora Brovina, Kuvendi nuk ka dokumentacion as për vitin 1953.

Ky ishte diskutimi i sotën në Komision, ndërsa pak ditë ma parë, Brovina tha se sigurimi i dokumentacionit për Masakrën e Tivarit s’asht detyrë e deputetëve, por e institucioneve. Poashtu deputeti Mytaher Haskuka, i kritikoi këto institucione e sidomos Akademinë e Shkencave që nuk e kanë zbardhë këtë ngjarje të randë në historinë e Kosovës.

Nga ana tjetër historiani Hakif Barjami, në librin e tij të vitit 2002 “Politika serbe për rikolonizimin e Kosovës me sllavë 1945-1948”, citon shefin e Jugosllavisë, Josip Broz Titon në nji mbledhje të mbajtun në Beograd, vetëm 5 ditë mbas masakrës së Tivarit, ku u fol edhe për mobilizimin e shpallun nga Ushtria Jugosllave, viktima të të cilit ishin edhe rekrutët e masakruem në Tivar.

“Te ju asht shpallë mobilizimi. Kishte me qenë ideale që njerëzit me u përgjigjë vullnetarisht… E vërteta asht se shumë prej të mobilizuemve nuk e dinë pse luftojnë….Dëshiroj që populli shqiptar me pjesëmarrjen e tij në luftë me e la njollën që ia vuni reaksioni tue bashkëpunue me pushtuesin”.

Por kjo deklaratë e Marshallit Tito u kundërshtue menjiherë nga Qamil Luzha, dhe Mehmet Krileva të pranishëm në takim. Simbas tyne, shqiptarët e Kosovës e kanë tregue se nuk e durojnë robninë që në kohën e Turqisë e në Jugosllavinë e vjetër.