Ky asht alarm: Prej kujt po tuten tash shtetet e Baltikut!

Lituania ka paralajmërue se presidenti rus, Vladimir Putin, mundet me testue NATO’n disa javë para zyrtarizimit të Donald Trump si President i SHBA’ve.

Zyrtarët lituanez thanë se kercënimi rus asht në rritje dhe se po përhapet tuta nga nji pushtim i mundshëm rus.

Ministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Linas Linkevicijus tha se asht “shumë i frigësuem” për Baltikun, si edhe për qytetin sirian Aleppo.

Lituania beson se rusët kanë “qellime t’errëta” ndaj këtij shteti, për shkak të gjeografisë dhe historisë së tij.

Dikur nji anëtar i Bashkimit Sovjetik, tash Lituania asht pjesë e NATO’s dhe BE’së, kufizohet me Rusinë dhe enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik.

Qeveria lituaneze ka shpreh zyrtarisht tutën për shkak të afërsisë së Putinit dhe Trumpit, ndërsa Linkevicijus tha se “Rusia nuk asht nji fuqi e madhe, por nji problem i madh.”

Rusia, nga ana tjetër, insiston se nuk paraqet kurrfarë kercënimi, tue e akuzue NATO’n se po i futë zjarrin rajonit tue zgjanue ushtrinë e saj n’afërsi të kufinit rus.

Linkevicius tha për BBC’s se Putin ndoshta e sheh periudhën deri në inaugurimin e Donald Trump si nji mundësi për me testue gatishmëninë e ushtrisë dhe qasjen diplomatike të aleancës perëndimore.

“Administrata e re zyrtarisht nuk do të vijë para gjysës së dytë të Kallnorit. Jam i frigësuem për shkak të kësaj periudhe, jo vetëm për rajonin, por unë shpresoj se Aleppo nuk do të jetë rrafshue me tokë deri atëherë “, tha ministri.

Lituanezët gjithashtu nënvizojnë se Rusia po grumbullon paisjet në Kaliningrad dhe përkujtojnë se 25 vjet ma parë nga Moska erdhi urdhni që tanket me hye në Vilnius dhe me thye protestat paqësore për pamvarësi.

“Vendet që ma së miri e kuptojnë Rusinë janë ato që janë ma afër saj. Unë isha femi dhe ende më kujtohet zani i tankeve, kur rusët erdhën me ushtrinë sovjetike. Këto ishin trupa ruse dhe kishin ba invazion, kështu që gjaja e fundit që mund të themi asht që nuk jemi naiv “, tha politikani opozitar lituanez, Gabirelius Landsbergis.

Lituanezët, shkruen BBC, mundësinë e pushtimit e shohin shumë seriozisht.

Zyrtarët po përpiqen me deshmue te SHBA’të se Lituania asht partner i pergjegjshëm në Aleancën Perëndimore dhe po shtypen pamflete të veçanta që u tregojnë civilëve se si të sillen në rast të pushtimit.

“Po, ky asht alarm. Ky nuk asht alarm se rusët po vijnë, por kercënimi asht tue u rritë çdo ditë “, ka thanë nji major lituanez për BBC.