Ky asht momenti kur kanë nji politikan. Kqyreni

Ky asht momenti prekës kur ish-ministri i Punës dhe Pensioneve në Britaninë e Madhe, Iain Duncan Smith shpërthen në lot gjatë nji interviste televizive.

Ndërsa po fliste mbi nevojën për të ndjek nji reformë agresive në shtetin e mirëqenies sociale, ai kujtoi se si kishte vizitu njiherë nji nga banesat sociale.

Zani i tij nisi të dridhej dhe i shpërthyen lotët, teksa po fliste për një nanë të vetmueme 19-vjeçare.

Ish-lideri i konservatorëve po intervistohej në Dhetor nga BBC për politikat e tij.

Intervista do transmetohet t’Ejten.

“Isha ulun dhe po flisje me atë grue, e cila donte të bante diçka, donte të ishte ma mirë se rrethanat e saj- por nuk kishte zanat, nuk kishte shkollim, nuk e dinte ku të shkonte”.

“E kujtoj se u largova tue mendue shumë thjesht: ajo asht vajza ime”.

“Më vjen keq, jam emocional për këtë 19-vjeçare,” tha ai mes lotëve.

“Aspiratat e mia për vajzën time ishin të pakufishme”.

“Dhe jam ku jam i ulun përballë nji vajze 19-vjeçare, e cila nuk ka asnji aspiratë dhe e sheh veten si të pavlerë”.

“Ajo asht produkt i sistemit. Qëllimi im asht se çfarë mund të baja për të, për t’i ndryshu jetën”.

Gazetari i BBC tha se ishte intervistë e fuqishme.

I pyetun nëse ndërhyni për ta ndërpre kur u emocionue, gazetari tha: “Jo, thjesht e pashë teksa qante”.

Duncan Smith dha dorëheqjen para disa ditësh, mbas miratimit të buxhetit të ri.

Ai u largu me arsyetimin se shkurtimet në buxhet për përfitimet e personave me aftësi të kufizueme minojnë misionin e drejtësisë sociale të qeverisë.