Ky asht shkaku pse BDI doli prej qeverisë së Maqedonisë

BDI

Vendimi asht marrë mbramë në mbledhjen e Kryesisë Qendrore të Këshillit të Përgjithshëm të BDI’s, ndërsa sot, të gjithë Ministrat dhe Zv/Ministrat e saj në Qeverinë e Maqedonisë, dorëzuen në mënyrë të parevokueshme mandatet e tyne.

Në deklaratën zyrtare të lëshueme sot nga selia e BDI’s thuhet se të gjitha kompetencat për vendimmarrje të matejshme janë në duert e liderit Ali Ahmeti.

Ma tej, në deklaratë, mbasi bahet nji historik i kontributit të BDI’s për shtetin dhe qeverinë e Maqedonisë dhe sidomos në stabilitetin politik të vendit, theksohet se që nga nisja e publikimit të përgjimeve nga oppzita maqedonase, BDI ka kërkue zbardhjen e çdo bisede autentike që ka lidhje me krimin dhe korrupcionin.

Pa përmendë publikimin e përgjimit mes Ermira Mehmetit dhe Musa Xhaferrit, BDI len me kuptue se kjo bisedë ka qenë e montueme dhe prandaj i kerkon Ministrisë së Mbrendshme dhe Prokurorisë arrestimin e menjihershëm të falsifikatorëve të kësaj bisede.

Madje, BDI thekson se nuk merr asnji përgjegjësi për daljen e situatës nga kontrolli institucional dhe për mundësinë e zbatimit individual të gjyqësisë dhe drejtësisë.

BDI fton edhe Prokurorinë Speciale që me u kyçë menjiherë në hetimin e këtij krimi të randë që synon damtimin personal e publik të figurave shoqnore.