Lajm i mirë për ujin, asht me standarde europiane n’Kosovë

Uji i pijes në Kosovë asht simbas standardeve të Bashkësisë Ndërkombëtare.

Kështu u tha sot në Prishtinë në prezentimin e Raportit për cilësinë e ujit të pijes në Kosovë për vitin 2015, publikue nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, raporti i parë i këtij lloji që publikohet në Kosovë, por edhe në rajon.

Në prezentimin e këtij raporti u banë të njohuna faktet simbas të cilave, cilësia e përgjithshme e ujit të pijes në Kosovë që u ofrohet konsumatorëve nga shtatë kompanitë Rajonale të ujësjellësve dhe simbas monitorimit nga Qendra e Ujit e IKSHP’s në kuadër të përgjegjësive të saj për monitorimin e jashtëm të përcaktueme me UA 16/2012 ka arritë përputhshmëri prej 96.3% me standardet mikrobiologjike të cilësisë së ujit dhe përputhshmëri prej 97.3% me standardet kimike, tue rezultue në nji nivel të përgjithshëm të përputhshmënisë prej 97.0% si rezultat i 43.000 testeve të bame nga gjashtë laboratorë Rajonale të IKSHP’s dhe Qendra e Laboratorëve Testues të IKSHP’s në Prishtinë gjatë 12 muejve të vitit 2015.

Tue përshëndet publikimin e këtij raporti, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se roli dhe randësia e ujit nuk diskutohet meqenëse uji asht nevojë bazike për jetën e njeriut.

“Sigurimi i ujit të pijshëm asht nji parakusht për mirëqenie sociale dhe shëndetësore. Për shendetësinë publike asht prioritet. Përveç rolit të padiskutueshëm të ujit për nevojat fiziologjike, personale, shtëpiake, ekonomike, uji asht edhe kercënim”, tha Ministri Rrahmani.

Drejtori i IKSHP’s, Naser Ramadani, tha se sigurimi i ujit të pijshëm të qendrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës ende paraqet nji ndër sfidat ma të mëdha afatgjata.

Ai tha se Raporti i parë vjetor 2015 ka me ofrue nji pikë të dobishme referuese me të cilën ka me muejt me u krahasue me raportet e ardhshme vjetore të IKSHP’s për performancën e cilësisë së ujit të pijshëm.