LDK ban “të fortin” me PDK: Refuzon me votue në Kuvend

Edhe pse e kaloi nji provë të vështirë dy javë ma parë, me zgjedhjen e Hashim Thaçit President, ky koalicion vështirë se mundet me u thirrë ende në numra. Të paktën jo nga ajo çka u pa sot në Kuvend.

Lidhja Demokratike e Kosovës sot bani sikur e tradhëtoi PDK’n, kur duhej me u votue për njanin prej 8 kritereve të liberalizimit të vizave: emnimin e anëtarëve të Organit Shyqrtues të Prokurimit. Kryesuesi i seancës, nënkryetari Xhavit Haliti u detyrue që dy herë me e hedhë në votim këtë pikë të rendit të ditës, por pa sukses. Numri i votave që ndërroi ishte minimal. Kuvendi nuk arriti me i emnue Berim Dinën dhe Vjollca Shala-Kurtishajn si anëtarë të këtij organi. Nga 75 deputetë të pranishëm në votimin e parë, vetëm 43 votuen pro e 1 kundër. Ndërsa votimi i dytë ishte edhe ma domethanës: vetëm 40 vota pro, 1 kundër e 1 abstenim.
Mbas kësaj, nënkryetari Xhavit Haliti u pa i nervozuem, teksa e quejti këtë votim si nji qëndrim të nji grupi parlamentar.
Mirëpo për analistin Imer Mushkolaj, vendimi i LDK’s për mos me votue sot, shihet si nji lojë që ka lidhje me zgjedhjen e Thaçit President.
Mushkolaj thotë se në raste të tilla, si kjo e OSHP’s, që janë vitale për Republiken edhe opozita duhej me votue.
Ndërsa për Aleancën për Ardhmëninë e Kosovës ky dështim i koalicionit për me i emnue anëtarët e OSHP’s ka ardhë për shkak se PDK dhe LDK s’kanë mujt me u harmonizue në pazaret e tyne.
Në anën tjetër qe 7 muej, partnerët e koalicionin Qeveritar në shumë raste kanë shprehë mllefin ndaj kolegëve opozitarë për pengesë në proceset integruese të vendit, mirëpo mbas votimit të sotëm, vështirë se mundet me u thanë se fajtore e vetme për mosintegrimin asht opozita.