LDK e Zvicres peticion kundër Isa Mustafës

Dega në Zvicër e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka mbajtë nji tubim protestues në mbrojtje të Donikë Gërvallës. Nëpërmjet nji komunikate, LDK e Zvicrës ka thanë se tubimi asht mbajtë “me motivacionin kundër dhunës ndaj femnës shqiptare që po e bajnë bandat e kriminalizueme të Isa Mustafës”.

Në tubim ka marrë pjesë edhe nji delegacion i Degës së LDK’s në Gjermani, i kryesuem nga Shpend Shala, Emrush Çekaj, Reshat Murati, Bejtush Jashari, pastaj Mark Baftija nga PDSHK’ja, aktivist të nëndegëve si dhe veprimtarë të shoqatave të ndryshme humanitare dhe sportive, të cilët bashkënisht gjykuen ekscesin politik dhe ndërhymjen brutale kundër Donikë Gërvallës, thuhet në komunikatën e LDK’s së Zvicrës.

Në këtë tubim protestues, aktivistët u shprehën qartas kundër dhunës, linçimit dhe përjashtimit që po ndodhin brenda vet LDK’s.

Në këtë tubim ka fillue nënshkrimi i nji peticioni, i cili ka për qëllim që zyrtarisht të kërkohet shkarkimi i Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK’së, ka ba të ditun LDK’ja e Zvicrës.

“Dega e LDK-së në Zvicër banë thirrje publike tek strukturat e LDK’s në Kosovë, tek kryetarët e degëve dhe nëndegëve të LDK’s, që me i nisë procedurat urgjente për shkarkimin e Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK’s, i cili bashkë me klanin e tij duhet me shkue pa hezitim dhe sa ma parë nga LDK’ja”, përfundon komunikata e Degës në Zvicër të LDK’s.