LDK: Nuk tutemi prej zgjedhjeve, por shteti po funksionon

Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e mbështet idenë që vitin e ardhshëm të organizohen dy palë zgjedhjet bashkënisht. Në këtë parti insistojnë për respektim të afateve zgjedhore.

Nënkryetari i LDK’s, Haki Rugova thotë se LDK nuk i tutet zgjedhjeve, por thotë se koalicioni po ecë mirë dhe siç shprehet ai, shteti po funksionon. Zgjedhjet lokale, simbas tij, kanë me u mbajtë në vitin 2017, ndërsa ato qendrore në 2018.

“Nuk është hera e parë qe kemi mbajte dy palë zgjedhje. Nuk asht kiameti, por duhet vlerësue mirë se çka sjellin ato zgjedhje. Nuk kem nevoje me i dhanë zor kësaj punë. Shteti po funksionon. Nuk kemi çka bajmë zgjedhje. Nëse shkohet në zgjedhje mundemi me pasë nji pozicion krejtësisht njisoj. Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen atëherë kur duhet nji ndryshim eventual”, ka thanë Rugova për ‘Indeksonline’.

“Nuk mundet PDK më ba zgjedhje pa LDK’n dhe as LDK pa PDK’n. Pra, duhet nji marrëveshje për këtë punë. Unë e kuptoj kërkesën e opozitës për nji proces të ri zgjedhor, sepse çdo opozitë në botë mendon për zgjedhje, por ata asnjiherë nuk mendojnë se a janë të gatshëm më hy në zgjedhje apo jo”, ka përfundue Rugova.