LDK pret nga deputetët e saj me votue të Premten, në përputhje me marrëveshjen politike me PDK’n

LDK me anë të nji komunikate për media, shfaq bindjen e vet se deputetët e kësaj partie, të Premten kane me votue në bazë të marrëveshjes politike mes PDK’s e LDK’s.

LDK shprehet e përkushtueme në realizimin e synimeve të qytetarëve, për ndërtimin e shtetit të Kosovës, tue thane se kjo mundet me u realizue veç me anë të dialogut e punës së përbashkët me partnerët perendimorë, e jo me veprime anarkiste asnti-perendimore.

 

Komunikata e LDK’s:

Lidhja Demokratike e Kosovës, ditët e fundit, ka zhvilluar takime dhe konsulta shteruese me strukturat e LDK-së, ku është diskutuar për zhvillimet politike në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimeve të Kryesisë së LDK-së, të Grupit Parlamentar si dhe me kryetarët e degëve të LDK-së, ka dominuar plotësisht qëndrimi dhe ka qenë konkluzion i përbashkët se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të vazhdojë me përkushtim të plotë kontributin e saj shtetndërtues në institucionet e Republikës së Kosovës.
Anëtarët e të gjitha strukturave të LDK-së, kanë kërkuar pa ekuivok nga përfaqësuesit e saj në institucionet qendrore që LDK-ja si parti me traditë të gjatë institucionale dhe me kontribut vendimtar në themelimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, t’i përmbahet parimeve të saj, duke përmbushur obligimet politike e kushtetuese të dala nga marrëveshja për krijimin e institucioneve në këtë mandat qeverisës, duke përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, sipas kësaj marrëveshjeje.
Duke iu referuar gjendjes aktuale në vend, të gjitha strukturat e LDK-së kanë kërkuar që LDK-ja, si gjithnjë, të luaj rol konstruktiv në funksionalizmin e plotë të institucioneve të shtetit dhe krijimin e kushteve për realizimin e prioriteteve dhe objektivave nacionale.
Kryetarët e degëve, anëtarët e Kryesisë dhe deputetët e LDK-së kanë kërkuar që LDK-ja, përmes udhëheqjes së Qeverisë dhe deputetëve të saj në Kuvend të vazhdojë përkushtimin maksimal për zhvillim ekonomik, ndërtim të institucioneve demokratike dhe proceset integruese euroatlantike.
Lidhja Demokratike e Kosovës, më këtë rast, thekson përkushtimin e saj të plotë për realizimin e synimeve dhe aspiratave të qytetarëve për ndërtimin shtetit të Kosovës, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera mike.
Ky vizion nacional, sot, mund të realizohet përmes punës së përbashkët, dialogut institucional dhe në koordinim të plotë me partnerët perëndimorë dhe jo përmes veprimeve anarkiste anti-perëndimore.
Lidhja Demokratike e Kosovës pret që të premten të gjithë deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës të veprojnë në përputhje me marrëveshjen politike të përkrahur nga strukturat e LDK-së, në mënyrë që t’i shërbejnë funksionalizmit të plotë të institucioneve të Kosovës.