LDK reagon për dëbimin e familjeve nga banesat në “Dardani”

LDK në Prishtinë ka thanë se asht e shqetësueme për dëbimin e familjeve nga banesat në lagjen “Dardania”.

Përmes nji komunikate për media, LDK ka thanë se për këtë përgjegjësia duhet të bjen mbi kreun e Prishtinës, Shpend Ahmetin.

“Lidhja Demokratike, Dega IV Prishtinë, shpreh shqetësimin e thellë për dëbimin me forcë të familjeve nga kompleksi i banesave në Dardani. Ky rast paraqet keqtrajtim të banorëve dhe familjeve të tyne. Dega IV e LDK Prishtinë, vlerëson se përgjegjësia politike, morale dhe profesionale, para së gjithash bjen mbi Kryetarin e Komunës, z. Shpend Ahmeti. Në vlerësimin tonë të kujdesshëm dhe të pa nxituem, dëbimi me forcë i këtyne banorëve shpërfaq mentalitetin keq-qeverisës me Prishtinën, nga ana e Kryetarit të Komunës së Prishtinës”, thuhet në komunikatë.

Simbas LDK’s, qeverisja nga Ahmeti asht e bazueme në politizim dhe polarizim të hapsinës publike.

“Tashma secilit që njeh Prishtinën dhe qeverisjen me të, i asht ba krejtësisht e qartë, që ky mentalitet keq-qeverisës, burimin e legjitimitetit, apo përkrahjes, edhe ashtu të copëtuem politik, e bazon në politizimin dhe polarizimin e hapsinës publike, përmes instalimit të krizave publike, politike, e qytetare, të cilave po i ekspozohemi nga dita në ditë, në vazhdimësi. Sidoqoftë, në këtë rast, politizimi dhe polarizimi i kësaj hapsine, pothuej ka tejkalue krejt kufijtë dhe fatkeqësisht ka shkelë mbi dinjitetin dhe mirëqenien e banorëve në fjalë”, thuhet tutje në komunikatë.