Lekaj i drejtohet LAA’s: Mos na shitni pallavra!

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’s, Pal Lekaj ka theksue se Vetëvendosje ka shty kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit, Adem Mikullovci që të thërret seanca.

“Jemi të vetëdijshëm që kryesuesi e ka thirrë seancën në mënyrë të rregullt, po ashtu jemi të vetëdijshëm që kryesuesin e ka shty subjekti i vet me thirrë seanca. Nuk jemi këtu që dikush të na shet mend se sa i dojnë qytetarët”, ka thanë Lekaj.

Lekaj ma tej ka komentue edhe deklaratën e deputetit të VV’s, Frashër Krasniqi të bame të Hanën në seancën e Kuvendit, tue thanë se ai ka përdor foltoren pa të drejtë dhe se ka fy luftën e UÇK’s.

“Sot e përdorin foltoren e Kuvendit pa të drejtë kushtetuese që të fyejnë ma të shtrejtën luftën e UÇK’s. E keni shfrytëzu pa kuorum që të njollosni dhe të fyeni njerëzit që kanë dhanë gjithçka për këtë vend. Ju nuk i doni qytetarët ma shumë se na”, u shpreh Lekaj.

Ai tutje iu drejtue të pranishmëve në këtë takim nga ana e LAA’s, që “mos hajdeni këtu që ta na shitni pallavra”.