Lëshimet që munden me i kushtue buxhetit të Kosovës miliona euro

Institucionet e Kosovës kanë ba lëshime në rastin e pasaportave biometrike, të cilat munden me i kushtue buxhetit të Kosovës miliona euro. Hulumtimi i Gazetës JnK zbulon se ka pasë lëshime gjatë hartimit të kontratës, por edhe me rastin e vendosjes për shkëputjen e saj. Lëshime ka ba edhe Gjykata Themelore e Prishtinës, tue mos e trajtue me prioritet kërkesën e Ministrisë së Punëve të Mbrendshme.

Pak javë mbas skandalit të pasaportave, Ministria e Punëve të Mbrendshme kishte vendosë ta anulojë kontratën me kompaninë austriake OeSD.

Gazeta JnK zbulon nji varg lëshime që janë bërë nga institucionet e Kosovës, e të cilat mund të çojnë në humbjen e miliona eurove në arbitrazhin ndërkombëtar.

Zyrtarë të përfshimë në proces kanë potencue defekte tue përfshi faktin se MPB’ja nuk ka konsultue avokatët e as juristët kur ka marrë vendimin për shkëputjen e kontratës, e deri te lëshimet e kryeme gjatë hartimit të kontratës.

Hulumtimi zbulon se mbas shkëputjes së kontratës, OeSD’ja kishte nisë procedurën në Arbitrazhin në Paris. MPB’ja nuk kishte qenë e pajtimit për këtë dhe kishte dorëzue nji padi në Gjykatën Ekonomike tue kontestue juridiksionin e arbitrazhit.

Kërkesa e MPB’s nuk asht vendosë asnjiherë nga gjykata, ndërsa në Paris, Gjykata e Arbitrazhit ka vendosë se MPB’ja ka qenë fajtore me rastin e shkëputjes së kontratës për furnizim me pasaporta. Arbitrazhi e ka obligue MPB’në që t’i paguejë damshpërblim kompanisë austriake OeSD shumën prej 5 milionë euro.