Lexoni sekretet e Marrëveshjes së Dayton për Bosnen!

21 vjet ma parë në qytetin amerikan të Dayton ju dha fund luftës në Bosne, por edhe pse marrëveshja asht ende garantuesi ma i randësishëm i paqes në ish-Jugosllavi, kjo marrëveshje asht ende e mbulueme nga misteret.

E disa nga të cilat shpalohen në vijim:

Marrëveshja kornizë u nënshkrue në bazën ushtarake amerikane Wright Peterson, në qytetin e Dayton, Ohio, më 21 Nandor 1995, dhe asht zyrtarizue më 14 Dhetor në Paris.

Në prani të Sekretarit të Shtetit Warren Christopher, u nënshkrue nga kryetarët Slobodan Miloshevic, Franjo Tuđman dhe Alija Izetbegović.

Nji nga pjesëmarrësit në negociatat në Dayton, Momir Bulatovic, ish-president i qeverisë federale jugosllave, vuni në dukje se ajo që u arrit në Dayton në vitin 1995 ishte në tryezën e bisedimeve në vitin 1992 në Lisbonë.

Tregimi i tij asht dhanë për Blicin serb.

Po pse nuk asht nënshkrue në Lisbonë? Në Dayton u pyetën vetëm amerikanët.

Edhe anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare trajtoheshin si krejtësisht të parëndësishëm – kujton Bulatovic.

Ai bisedimet paqësore i përshkruen si “të ashpra”.

-Më kujtohet se nji herë Radovan Karadjic tha: “Po si mund të leshojmë pe, mue atje më janë vra 25.000 të rijë”.

Dhe unë i them atij: “Radovan, por mos lejo të vriten 25.000 të tjerë”, – kujton Bulatovic.

Nji nga parimet kryesore të Marrëveshjes së Dayton’it asht i bazuem në ndamjen e BeH me raportin 51 për qind të territorit për federatën e BeH dhe 49 për qind për Republika Srpska. Nga kjo ndamje u veçue distrikti Brcko.

Marrëveshja e Dayton’it u ka dhanë autorizimet ma të mëdha entiteteve.

Negociatat zgjatën 20 ditë – nga 1 deri me 21 Nandor – ishin nji shembull i vërtetë i “diplomacisë fluturuese”, e cila nënkuptonte se ndërmjet palëve në konflikt ndërmjetësojnë diplomatët që u takuen privatisht me Izetbegovic, Miloshevic dhe Tuđman dhe negociuen pjesë të marrëveshjes, të cilat pastaj u perfshinë në nji marrëveshje.

Lojtari kryesor në këto negociata, në cilësinë e ndihmës Sekretari të Shtetit, ishte Richard Holbrooke.
Mënyra se si udhëheqësit e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve i bindi me nënshkrue nji marrëveshje edhe sot e kësaj dite nuk asht sqarue plotësisht, dhe prandaj publiku për dekada merret me detajet e marrëveshjes.

Disa nga këto histori merren me takimet në mesnatë në pizhame, vizatimet e Miloshevic’it të hartës së BeH në salveta …

Në studimin, “Historia e msheftë e Dayton’it: Diplomacia amerikane dhe procesi boshnjak i paqes 1995” Derek Sole dhe Bennett Freeman përshkruejnë dramën në ditën e fundit të negociatave.

Atë mëngjes, Miloshevic’i vendosi me thyej bllokadën dhe me nënshkrue nji marrëveshje me Franjo Tuđman, pamvarësisht nga qendrimi i delegacionit boshnjak.

Me sa duket në borë, pa pallto, në parkingun afër bazës ushtarake, priti dhe kambënguli që kjo ide t’i paraqitet Christopher Hill dhe Richard Holbrooke.

Kur delegacioni amerikan hodhi poshtë idenë, Miloshevic’i prezentoi ofertën e fundit: statusi i Brckos të lihet për ma vonë, kur do të zgjidhet nga arbitrazhi ndërkombëtar, propozim që e pranoi Tuđman.

Christopher dhe Holbrooke pastaj shkuen në dhomat e boshnjakëve ku në apartamentin e Izetbegovic u takuen me udhëheqësin e boshnjakëve si edhe me Haris Silajxhic dhe Muhamed Shaqirbej.

– Kjo asht nji paqe e padrejtë, por njerëzit e mi kanë nevojë për paqe – tha Izetbegovic pa dëshirë, dhe për këtë arsye marrëveshja praktikisht asht miratue.

Hill dhe Holbrooke nxituen që marrëveshjen me qitë në letër, dhe ata e informuen presidentin Bill Clinton, i cili fluturoi për në Dayton për me nënshkrue marrëveshjen.

Megjithatë, Holbrooke i ka thanë Clinton:

“Zoti President, ju nuk duhet të jeni afër këtyne njerëzve sot. Ata janë të egër”.

Clinton njoftoi nënshkrimin e nji marrëveshjeje nga Shtëpia e Bardhë.

E delegacioni serb po perjetonte nji dramë.

“Ai ra në gjendje kome”

Pak para nënshkrimit u zhvillue nji dramë në kuadër të delegacionit serb: vetëm atëherë Slobodan Miloshevic ju paraqiti hartat e miratueme serbëve të Bosnes.

Kur Krajisnik i pa hartat … – i ra të fikët. I pyetun se çfarë ka ndodhë, Miloshevic ka thanë:

“Ai ra në gjendje kome”.