Liderat e BE’s: Britania e Madhe me u largue shpejt, vonesat sjellin paqartësi

Në nji komunikatë të përbashkët për media, presidenti i Parlamentit Europian Martin Schulz, presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk, bartësi i Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian Mark Rutte, si dhe presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, kanë thanë se Britania e Madhe duhet me u largue menjiherë nga BE, në mënyrë që mos të krijohen paqartësi nga vonesat.

Presidenti Schulz, president Tusk dhe kryeministri Rutte u takuen sot në mëngjes në Bruksel me ftesë të presidentit të Komisionit Europian, Juncker.

Ata diskutuen rezultatin e referendumit të Britanisë së Madhe dhe leshuen këtë komunikatë për media:

“Në nji proces të lirë dhe demokratik, populli britanik ka shpreh dëshirën e vet për me dalë nga Bashkimi Europian. Na vjen keq për këtë vendim, por e respektojmë.

Kjo asht nji situatë e papame deri tash, por na jemi të bashkueme në përgjigjen tonë. Qendrojmë të fortë dhe mbajmë vlerat thelbësore të BE’s për promovimin e paqes dhe mirëqenies së njerëzve tonë. Bashkimi [Europian] prej 27 anëtarësh ka me vazhdue.

Bashkimi Europian asht korniza e t’ardhmes sonë të përbashkët. Na lidh historia, gjeografia dhe interesat e perbashkëta, prandaj kanë me zhvillue bashkëpunimin tonë mbi këto baza. Bashkarisht do t’i adresojmë sfidat tona të përbashkëta në mënyrë që me prodhue rritje [ekonomike], ta rrisim prosperitetin dhe të sigurojmë nji mjedis të sigurt për qytetarët tonë. Institucionet do të luejnë nji rol të plotë në këtë përpjekje.

Na, tash presim nga Qeveria e Britanisë së Madhe që me futë në fuqi këtë vendim të popullit britanik, sa ma shpejt që të jetë e mundun, pamvarësisht se sa i dhimbshëm mund të jetë ky proces. Çfarëdo vonese ka me zgjatë mos sigurinë e panevojshme. Kemi rregulla për me u marrë me këtë në nji mënyrë të përpiktë”.