Liderët shqiptarë të Malit të Zi, letër publike për liderët e Kosovës dhe Shqipnisë

Tre subjektet ma të mëdha politike në Mal të Zi, të cilat ditë ma parë janë bashkue në nji koalicion parazgjedhor për të mos e nda elektoratin shqiptar atje, u janë drejtue me nji letër publike liderëve politikë të Kosovës dhe Shqipnisë, tue kërkue që ta përdorin ndikimin dhe t’i bindin edhe aktorët e tjerë politikë shqiptarë në Mal të Zi, që të lanë ndasitë krahinore apo fetare dhe në zgjedhjet e ardhshme të garojnë të gjithë të bashkuem.

Kjo letër i asht adresue presidentëve të Kosovës dhe Shqipnisë, kryeparlamentarëve dhe kryeministrave.

Ma poshtë gjeni letrën e plotë të nënshkrueme dërgue nga Nazif Cungu, Kryetar i partisë Forca e re demokratike – FORCA, nga Mehmed Zenka, Kryetar i partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve – UDSH, si dhe nga Gjergj Camaj, Kryetar i partisë Alternativa Shqiptare – ASH:

Drejtuar opinionit publik mbarë shqiptarë, si dhe:

Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani

Presidentit të Republikës së Kosovës, Z. Hashim Thaçi

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Ilir Meta

Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës, Z. Kadri Veseli

Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Z. Edi Rama

Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Z. Isa Mustafa

Të nderuar liderë të shquar politik shqiptarë,

Po e shkruajmë këtë letër të hapur në emër të koalicionit të sapo-nënshkruar mes tre partive kryesore shqiptare në Malin e Zi, Forcës së Re Demokratike, Unionit Demokratik Shqiptar dhe Alternativës Shqiptare. Sikurse mund të jeni në dijeni, zyrtarët e vetëm të lartë shtetëror shqiptarë në Malin e Zi sot janë faktikisht eksponentë të këtyre partive, konkretisht kryetari i komunës së Ulqinit, dy deputetët e vetëm të partive shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, si dhe kryetari i Kuvendit të Komunës urbane të Tuzit. Nëpërmjet kësaj letre ne dëshirojmë t’ju kërkojmë të përdorni ndikimin tuaj që të bindni edhe aktorët e tjerë politikë shqiptarë në Mal të Zi që të lënë mënjanë ndasitë krahinore apo fetare dhe në zgjedhjet e ardhshme të garojnë të gjithë të bashkuar.

Përvoja e hidhur e zgjedhjeve të kaluara parlamentare ka treguar se fragmentimi i faktorit politik shqiptar ka sjellë humbjen e mandateve parlamentare duke minimizuar përfaqësimin tonë politik në Kuvendin e Malit të Zi. Prandaj duam t’ju informojmë se vendosëm që të formojmë këtë koalicion parazgjedhor duke pasur parasysh sistemin zgjedhor malazez dhe konjukturën politike, si dhe duke vepruar në interesin tonë kombëtar. Ne zgjedhjet e kaluara parlamentare rreth 30 mijë shqiptarët e Malit të Zi ishin të përçarë në katër lista zgjedhore, fragmentim ky që nuk ndodh me pakicat e tjera etnike në Mal të Zi apo shtete të tjera. Ka ardhur koha që të nxjerrim mësime nga pësimet dhe ne shpresojmë në ndihmën tuaj që të bëni thirrje tek të gjithë aktorët politik shqiptar në Malin e Zi, si dhe tek diaspora jonë, që në zgjedhjet parlamentare të 16 Tetorit 2016, shqiptarët të përfaqësohen të bashkuar me një platformë politike, në një listë të vetme zgjedhore.

Në themel të marrëveshjes sonë qëndrojnë nevojat kryesore dhe çështjet më të mprehta që prekin popullsinë shqiptare dhe për rrjedhojë bashkimi me këtë koalicion të organizatave të tjera politike shqiptare në Malin e Zi është më se i mirëpritur dhe i dobishëm për të gjithë shqiptarët. Platforma politike e këtij koalicioni ka në qendër të saj mbrojtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe dhe simboleve tona kombëtare, forcimi i arsimit në gjuhën shqipe, decentralizimin duke përdorur standardet më të larta evropiane në këtë fushë, si dhe përmirësimin e gjendjes social-ekonomike të komunitetit tonë etnik autokton.

Ne dëshirojmë gjithashtu t’ju vëmë në dukje se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka luajtur një rol kyç në sigurimin e pavarësisë së Republikës së Malit të Zi e do të vazhdojë të jap kontributin e pakursyer konstruktiv në zhvillimin e demokracisë, ekonomisë së tregut, lirisë dhe të drejtave të njeriut. Pra, forcimi i përfaqësimit politik shqiptar në Podgoricë jo vetëm që përmirëson cilësinë e jetës dhe respektimin e të drejtave të bashkëkombësit tuaj këtu, por edhe jep kontribut në konsolidimin e shtetit malazez, në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon, si dhe në proceset e integrimeve Euro-Atlantike të Malit të Zi.

Po ashtu përfitojmë nga rasti i kësaj letre për të shprehur mirënjohjen tonë për kontributin tuaj të vazhdueshëm në jetën politike shqiptare, si dhe solidaritetin që keni treguar në të kaluarën për bashkëkombësit tuaj kudo që ata ndodhen. Ne i bëjmë thirrje pikërisht ndjeshmërisë suaj kombëtare duke kërkuar që të na gjendeni sërish pranë në këto kohë të vështira për ne. Ndihma juaj në forcimin e unitetit të shqiptarëve të Malit të Zi do të jepte një kontribut të rëndësishëm historik kombëtar.

Me shpresën që ju do të përdorni forcën e zërit tuaj në të mirë të komunitetit të shqiptarëve të Malit të Zi, ne ju falënderojmë paraprakisht për ndihmën tuaj dhe ju përcjellim konsideratat tona më të larta!

Me respekt,

Nazif Cungu

Kryetar i partisë Forca e re demokratike – FORCA

Mehmed Zenka

Kryetar i partisë Unioni Demokratik i Shqiptarëve – UDSH

Gjergj Camaj

Kryetar i partisë Alternativa Shqiptare – ASH