Liria e shtypit, faji i gazetarëve që u nënshtrohen shkeljeve

17 vjet nga çlirimi i Kosovës, me gjithë entuziazmin se vendi ka me i shfaqë karakteristikat e nji shoqnie ma të lirë, e rrjedhimisht edhe të nji medie ma të lirë, kjo nuk po ndodh.

Ndonëse në raportin e këtij viti organizata “Freedom House”, ka ngritë Kosovën sa i përket fushës së të drejtave politike dhe lirisë së medias nga 100 sa ishte në vitin e kaluem në 96 në këtë vit, gjendja e lirisë se shtypit vazhdon të mbetet problematike për vendin.

Këtë e dëshmoi edhe raporti vjetor i Reporterëve Pa Kufi, simbas të cilit, gjatë vitit 2015, Kosova ra me 7 vende në krahasim me nji vit ma parë. Madje, vendi ynë simbas këtij raporti, asht në nji nivel me disa vende afrikane, sa i takon lirisë së medias, ku theksohet sidomos nevoja e zbatimit të ligjeve egzistuese.

E prandaj, gjatë nji interviste për Televizionin Rrokum, gazetari Bajrush Morina thotë se liria e vërtetë e medias në Kosovë, vlerësohet ma s’miri nga raportet ndërkombëtare.

Ma tej Morina thekson se Kosova ka nevojë për gjithçka, por ma se shumti për lirinë e mediave.

Problemet thelbësore me lirinë e medias i pranon edhe anëtari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkelqim Hysenaj, i cili flet për Rrokum TV me rastin e 3 Majit, Ditës Botnore të Lirisë së Shtypit.

Ai shton se pamvaresisht censurës që iu bahet gazetarëve, ata nuk kanë guxim me tregue këtë publikisht, mbasi edhe nga ana e institucioneve ka neglizhencë ndaj ketyne rasteve.
Por zadhansi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, mbrohet tue thanë Policia i trajton këto raste me korrektësinë ma të madhe.

Mirëpo Bajrush Morina fajëson vetë gazetarët, që pranojnë me iu nënshtrue shkeljeve të të drejtave të tyne.

Ndërkohë në Policinë e Kosovës vetëm në vitin 2015 numri i hetimeve të inicueme për rastet e sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve ishte 29, kurse për vitet 2013-14 ka pasë 34 raste.