Lirohen të pafajshëm tre kosovarët e dyshuem për terrorizëm, në Gjermani

Tre kosovarët e arrestuem të Martën me dyshimin se mund të kishin lidhje me terrorin islamik, janë lirue sot. Dyshimet e para për implikimin e tyne në veprime teroriste s’janë dëshmue si të vërteta.

Mbas nji dëshmie anonime në nji faqe interneti të policisë se Bavarisë, ndaj tyne ishte inicue nji procedurë hetimore.

Presidenti i policisë së landit të Bavarisë, Wilhelm Schmidbauer, tha se nuk janë gjet dëshmi për lidhjen e tyme me terrorizëm.

Nji zadhanës i Zyrës së Bavarisë për krime i ka konfirmue dje informacionet që i ka publikue televizioni ARD. Simbas tyne, tre personat po vinin nga Brukseli me nji veturë të regjistrueme në Belgjikë.

Arrestimi i tyne ka ndodhur, simbas Bayerische Rundfunk, mbasi që nji person i panjohun natën e të Hanës ia kishte dhanë policisë së Bavarisë nji informatë që fliste për planifikim të nji akti terrorist. Janë përmend personaliet e dy shqiptarëve të Kosovës, të cilët po lëviznin me nji veturë Mercedes ngjyrë argjendi.

Policët mandej e kane ndalue veturën, në të cilën kanë qenë dy vllaznit dhe nji shoqnues i tyne, të moshave 36 dhe 46 vjeçarë. Ata kanë deklarue se po punonin për nji firmë belge të ndërtimit. 30.000 eurot që u ishin gjete, i kishin për me pague nji shtëpi në Belgjikë, e këtë e dëshmuen edhe autoritetet belge.

Planet e ndërtimit të gjetuna në veturën e tyne i takonin nji kantieri që ata e mbikëqyrnin. Njani nga dy vllaznit po kërkohej me fletarrest mbasi që e kishte vendimin për me lëshue Gjermaninë sepse i ishte refuzue kërkesa për azil dhe kishte kalue në ilegalitet.