Lista Serbe: Nuk jemi ftue nga Kryeministri për me bisedue për Demarkacionin

Shefi i Listës Serbe, Slavko Simic, thotë se ende nuk janë ftue nga kryeministri Mustafa për të bisedue rreth çashtjes së Demarkacionit të kufinit me Malin e Zi. Ai thotë se nuk kanë kërkesa të reja për partnerët e koalicionit qeverisës.

Kryeministri i Kosovës vazhdon të zotohet se shumë shpejt kanë me riprocedue marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend dhe ratifikimin e saj për të plotësue kushtin e fundit për liberalizimin e vizave.

Mirëpo, shefi i Qeverisë ende nuk ka ndërmarrë veprime për të bindë Listën Serbe për me marrë pjesë në seancë dhe për të votue pro ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin.

Kjo, mbasi Lista Serbe thotë se ende nuk kanë diskutue me partnerët e koalicionit për çashtjen e Demarkacionit. Derisa kanë ftue partnerët e koalicionit PDK-LDK që t’i respektojnë ma shumë.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simic, ka konfirmue për “Zërin” se ende nuk janë ftue nga kryeministri Isa Mustafa për të bisedue rreth çështjes së Demarkacionit.

“Si kryetar i Listës Serbe nuk kam pasë asnji mbledhje me partnerët e koalicionit kur asht fjala për Demarkacionin e kufinit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Përfaqësuesit e Listës Serbe janë përjashtue nga procesi i vendimmarrjes të kësaj Marrëveshje”, ka thanë Simic për “Zërin”, tue kërkue nga dy partitë ma të mëdha PDK-LDK që t’i respektojnë ma shumë deputetët serbë.