Lladrovci ja merr aktivistat VV’s, del me nji porosi

Ramiz Lladrovci, ish-ambasador në Shqipni e tash kandidat për kryetar të Drenasit, gjatë nji aktiviteti në aderimin, simbas tij, të aktivistëve të Vetëvendosjes në PDK, mbasi i falënderoi për aderimin, u foli të aderuemve për Lëvizjen Vetëvendosje dhe vizionin e tyne.

“Ju edhe pse keni qenë në Lëvizjen Vetëvendosje, për nji kohë të gjatë,  djemtë e vajzat e tyne i kemi quejt ‘patriotë’, sepse në fillim kanë pasë nji vizion e nji kuptim, por gjatë kohës në vazhdim ju keni qenë ata të parët qe e keni kuptue se vizioni e qëllimi kanë ndryshue”, ka folë Lladrovci, që në krah kishte deputetët Shaip Muja e Ganimete Musliu.

Pretendenti për me marrë drejtimin e Drenasit, që ma parë ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, tue u folë të aderuemve, ka përmend rastet, që simbas tij, perkojnë me Vetëvendosjen.

“Ju nuk jeni ata që dilni në rrugë e spërkatni vllaznitë edhe motrat e jueja me ngjyrë të kuqe, nuk jeni ata që gjueni gaz lotsjellës në Parlamentin tonë që me gjak e me djersë e kemi bërë dhe nuk jeni ata që në fund të fundit e gjueni Parlamentin tonë me raketahedhës”, ka shtue Lladrovci.