Lufta e re e Ftoftë, marinsat amerikanë i japin “mesazh” Moskës nga Arktiku

Tanket amerikane shoqnojnë marinsat përmes pyjeve në temperatura nën zero mbi rrethin Arktik. Objektivi asht nji bunker që ruhet nga ushtarët norvegjezë, në lojën ma të fundit luftarake për m’u përballë me realitetin e ri përgjatë kufinit ma verior të NATO’s me Rusinë.

Qysh prej Kallnorit 2017, të paktën 300 marinsa amerikanë kanë me u dislokue në Norvegji, si pjesë e masave për me sigurue aleatët më lindorë të NATO’s për angazhimin serioz të aleancës ndaj tyne. Megjithëse kanë me qenë rreth 1.000 km larg kufinit, qëllimi i stërvitjeve të tilla asht testimi i gadishmënisë së kambësorisë dhe tankeve, që gjatë vitit janë vendosë në shpella të nëndheshme.

Simbs analistëve, mesazhi i aleancës asht i qartë: dimni dhe acari nuk janë ma armët ekskluzive të Rusisë. Ide që doket se ndahet edhe nga lojtarë të tjerë, mbasi stërvitja e SHBA’ve me Norvegjinë asht vrojtue gjatë tanë kohës nga “drone” të paidentifikueme, megjithëse në atë zonë të planetit, mbi rrethin Arktik dhe pranë kufinit rus, nuk asht zor të dyshosh se kujt mund t’i përkasin.

Asht hera e parë që tanket amerikane “Ambraham” shkojnë kaq në veri dhe për Norvegjinë, dobia e manovrave asht mase e qartë. Zyrtarë norvegjezë të sigurisë thonë se, shqetësimi për kërcënimin rus rritet nga dita në ditë, sidomos mbas ngjarjeve në Krime dhe Ukrainë, ku rebelët separatistë mbështeten në mënyrë diskrete dhe të mohueshme nga fuqia ushtarake ruse.

Prania amerikane në Norvegji asht nji strategji e thjeshtë. Çdo element armiqësor, rebel apo shtetnor, duhet me llogaritë mirë ndërhymjen në këtë shtet nordik, mbasi futet në luftë automatikisht edhe me SHBA’të.